Fakte interesante mbi e-Books dhe e-Readers

Përse duhet të njiheni me këto fakte historike mbi e-Books dhe e-Readers?

Viti që lamë pas ishte i rëndësishëm për historinë e e-Books, pasi përkatësisht më 4 Korrik 2021, janë shënuar plot 50 vite që nga lançimi i librit të parë elektronik në botë. Për këtë arsye, ne kemi vendosur t'ju prezantojmë me disa fakte historike mbi e-Books, dhe jo vetëm, që me siguri nuk i kishit dëgjuar më parë.

Një eBook

Si fanatikë të librave digjitalë, ne mendojmë se këto fakte mjaft interesante, do ju zgjojnë kureshtjen për të mësuar më shumë mbi librat elektronikë dhe e-Readers, e pse jo duke ju nxitur të bëheni pjesë e komunitetit të Librotekës, për të përfituar nga ky mjet teknologjik e informativ.

Cili është libri i parë digjital në botë?

Libri i parë digjital u publikua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 4 Korrik të vitit 1971. Ishte pikërisht autori Michael S. Hart, njëkohësisht themeluesi i 'Project Gutenberg', ai i cili lançoi kopjen e parë digjitale të Deklaratës së Pavarsisë së SHBA. Ky dokument u shpërnda mes përdoruesve të tjerë të kompjuterave, brenda rrjetit online të Univeristetit të Illinois.

Cili është paraardhësi i parë i e-Reader?

Eksperimentet për krijimin e një pajisje e-Reader, u zhvilluan shumë vite para se të publikohej libri i parë digjital. Paraardhësi i e-Reader që ne njohim sot, është një makineri e vogël që proceson ajrin për hapjen pajisjes dhe lëvizjen e faqeve. Ajo quhet 'Enciclopedia Mecánica', e ndërtuar në vitin 1949 nga një mësuese spanjolle e njohur si Ángela Ruiz Robles.

Shpikësja, planifikoi të shtonte një dritë leximi, makinë llogaritëse dhe tinguj që mund të ndihmonin në lehtësimin e përdorimit të tij. 'Enciclopedia Mecánica', prej vitesh gjendet në Muzeun Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë në La Coruña, Spanjë.

Cili është e-Book më i gjatë në histori?

Libri elektronik më i gjatë dhe i vetmi që është i disponueshëm, është ‘The MacArthur New Testament Commentary’ i publikuar në vitin 1983, që mban vargje dhe mësime Biblike. Ky libër elektronik është i barabartë me 13,080 faqe të printuara, ka 33 vëllime dhe është 37mb.

Ky libër elektronik është përkthyer në tetë gjuhë të ndryshme, dhe është nxjerrë në shitje në vitin 2015 nga ‘Amazon’, dhe shumë platforma të tjera që shesin e-Books. Çmimi fillestar i tij nis nga $400.

Cila është gjenerata e parë e Kindle?

Kindle është modeli më popullor i pajisjeve e-Reader, që e ka zanafillën në vitin 1968. Futuristi Alan Kay, shpiku 'Dynabook' një kompjuter personal me qëllim edukativ. 'Dynabook' ka madhësinë e një tableti të zakonshëm, por është i pajisur me një ekran të vogël dhe një tastierë. Kjo pajisje u njoh si e-Reader zyrtar, që ishte mjaft i ngjashëm me 'Sony LIBRIé' dhe thuhet se paraprin gjeneratën e parë të ‘Kindle’.

Alan Kay besonte se 'Dynabook' do të bëhej një kompjuter personal për fëmijët e të gjitha moshave. Shumë veçori që ai dëshironte t’i shihte në pajisjen e tij portative, janë sot të disponueshme në PC, laptop, tabletat dhe lexuesit elektronikë.

Cili është e-Reader më i pak i suksesshëm në histori?

Kompania 'Everybook's EB', vendosi të sjellë një risi sa i përket mënyrës së leximit në pajisjet elektronike. Në vitin 1998, ata vendosën të lançojnë e-Reader të parë që ngjason me një libër të printuar. 'EveryBook Dedicated Reader' ishte planifikuar të ishte pajisja e parë me dy ekrane vertikale, që i ngjanin nga paraqitja e jashtme, një libri të zakonshëm.

Kjo pajisje supozohej të përdorej si një libër, me ekranin e majtë që ofronte mundësinë për të mbajtur shënime, ndërsa i djathti për të lexuar. Gjithashtu, kjo pajisje do të ishte në gjendje të hapte dokumente PDF, format që asokohe përdorej nga autorët për të bërë shtypje apo printime. Ky e-Reader do t'i shërbente vetëm profesionistëve si mjekë, avokatë, arkitektë, inxhinierë apo ushtrisë. Çmimi i tij varionte nga $1000-$1500. Për shkak të kërkesës së ulët për këtë pajisje, shumë shpejt ai u hoq nga tregu.

Cili është fonti i parë i përdorur për e-Books?

'Bookerly' është fonti i parë që u krijua ekskluzivisht për t'u përdorur në libra elektronikë. Ky font klasik është projektuar nga 'Amazon' për të rritur lexueshmërinë dhe shpejtësinë e leximit, si dhe për të zvogëluar lodhjen e syve nga ekranet e e-Readers apo pajisjeve të tjera.

Fonti iu shtua aplikacioneve dhe pajisjeve ‘Kindle’ në fillim të vitit 2015. Disa muaj më vonë, ‘Google’ prezantoi fontin e tij zyrtar, të përshtatshëm për e-Books. Ai quhet 'Literata' dhe u dizejnua nga 'Type Together'.

Cila është biblioteka e parë fizike në botë dedikuar e-Books?

Ka një bibliotekë ku mund të udhëtoni për të parë, blerë dhe shitur libra digjitalë. Ajo quhet 'BiblioTech' dhe është hapur në vitin 2013 në Teksas. E gjendur në qarkun Bexar, biblioteka e parë publike plotësisht dixhitale, është projektuar për të kapërcyer boshllëqet mes shkrimit, leximit dhe teknologjisë në këtë zonë.

Biblioteka është e pajisur me 45 iPad, 40 laptopë dhe 48 kompjuter. Anëtarët e regjistruar mund të huazojnë një nga 800 e-Readers që janë vënë në dispozicion, 200 prej të cilëve janë të përditësuar veçanërisht për nevojat edukative të fëmijëve.

Cilët janë autorët që kanë shitur më shumë e-Books në histori?

Në fakt, ata nuk janë shumë të njohur në Shqipëri, por historia e tyre është mjaft frymëzuese. Viti 2010 do të ndryshonte përgjithmonë jetët e dy autorëve të librave digjitalë. Bëhet fjalë për James Patterson i cili arriti të shesë 1,141,273 kopje të dy librave të tij 'Alex Cross' dhe vëllimet e 'Women’s Murder Club', duke u bërë autori i parë që kaloi 1 milion kopje të shitura online.

Muaj më vonë, 26-vjeçarja Amanda Hocking fitoi mbi 2 milionë dollarë nga librat e saj elektronikë. Pasi u refuzua disa herë nga botuesit, autorja e re e romancave paranormale, i publikoi vetë librat e saj pa ndihmën e askujt. Në prill 2010, ajo filloi të botojë romanet e saj në ‘Kindle Store’. Librat kishin çmime midis $0,99 dhe $2,99. Në më pak se një vit, ajo shiti mbi 900 mijë kopje të nëntë romaneve të saj, me $450 mijë fitime në total.

Prej vitit 2012 e-Books mund të shkarkohen falas në...?

E çuditshme por e vërtetë, në Bukuresht mund të shkarkoni deri në 60 libra elektronikë falas, në metro. Në vitin 2012, një stacion metroje në Bukuresht u shndërrua në bibliotekë digjitale, ku mund të shkarkohen libra elektronikë dhe audiobooks falas, duke skanuar kodet QR.

Muret e stacionit të metrosë 'Victoria Square'janë të mbushura me postera të mëdhenj që ngjajnë me raftet e librave të bibliotekës. Udhëtarët që vijnë në këtë metro, mund të ndalojnë për të skanuar pjesën e prapme të fotove të librave, për të shkarkuar falas e-Books dhe audiobooks, që mund t'i lexojnë gjatë rrugëve të gjata me tren. Nga kjo risi kanë përfituar edhe qindra turistë.

Cili është e-Reader me përmasat më të vogla në botë?

I lançuar në Tetor të vitit 2012, 'Txtr Beagle' është e-Reader më i vogël në botë deri më sot. Ai kishte një ekran 5 inç (12cm) dhe punonte me 2 bateri të cilat zgjasnin deri në një vit. 'Txtr Beagle' ishte mjaft i lirë dhe mund të blihej për vetëm 10 euro. Pajisja Ishte jashtëzakonisht e hollë dhe peshonte vetëm 128 gram. Përdoruesit mund të shkarkonin e-books përmes Bluetooth, falë një aplikacioni të dedikuar për celularë.

Ky e-Reader u krijua për t’ju shitur në masë njerëzve, që ende nuk ishin mësuar me përdorimin e librave elektronikë. Qëllimi i krijuesve ishte të lidhnin sistemin e 'Txtr Beagle' me planet e operatorëve të rrjetit celular.

Cili e-Book ‘theu rrjetin’ për shkarkimin në masë?

Novela ‘Riding the Bullet’ e Stephen King ishte libri i parë elektronik i disponueshëm në të gjithë botën masivisht. 400,000 kopje të tij u shkarkuan në vetëm 24 orë. Libri elektronik u lëshua në Mars të vitit 2000 nga 'Simon & Schuster'.

Ai mund të shkarkohej në formatin PDF për vetëm $2,50. Kërkesa e madhe për këtë e-Book, shkaktoi bllokimin e serverëve, pak orë pasi libri doli në shitje. Lexuesit duhej të prisnin me orë të tëra që ky libër të shkarkohej. Kohë më vonë, ‘Riding the Bullet’ u ofrua falas nga 'Amazon' dhe 'Barnes & Noble'.

A mund të shkarkohet një bibliotekë e tërë brenda një e-Reader?

Një koleksion i tërë i një biblioteke mesatare shkollore, mund të futet në një e-Reader të vetëm. Shumica e bibliotekave shkollore, raportojnë koleksione deri në 25,000 kopje librash. Ky numër skedarësh, mund të ruhet në çdo lexues elektronik që është i pajisur me 32 GB memorie të brendshme, si për shembull 'Kindle Paperwhite' ose 'Oasis'.

Edhe më shumë libra mund të ruhen në e-Readers që vijnë me aftësinë për të shtuar karta memorie të jashtme. Kjo do thotë, që ju mund të shkarkoni mijëra libra elektronikë në një pajisje të vetme, dhe ta mbani atë me vete kudo dhe kurdo.

Përmbledhje

Librat dhe lexuesit elekronikë kanë evoluar shumë që nga shekulli i 19-të kur idetë për shpikjen e tyre ishin të shumta, por përpjekjet dhe mundësitë ishin të pakta. Këto fakte na tregojnë më shumë për historikun e e-Books dhe e-readers, dhe na ndihmojnë të kuptojmë më mirë zhvillimin e tyre në formatet dhe pajisjet që ne njohim sot.

Bota e librave elektronikë po zhvillohet dhe po përmirësohet vazhdimisht, duke plotësuar copëzat e historisë së saj. Se si do të duken librat elektronikë dhe e-Readers pas pesë apo dhjetë vitesh, kjo mbetet për t'u parë! Nëse këto informacione të shkurtra ju frymëzuan që të përfitoni nga eksperienca që ju fal leximi i librave digjitalë, je ju ftojmë të bëheni pjesë e platformës sonë, e para në Shqipëri për tregtimin e e-Books, e arritshme kudo ku ka shqiptarë.

Regjistrohu në newsletter

Njoftohu me email mbi librat e rinj, ofertat dhe shkrimet e fundit.