Rritja e pandalshme e e-Books në tregun global

Ndryshimet që solli industria e librave digjitalë tek lexuesit

Kur libri i parë online u porosit në internet në vitin 1995 në një faqe të panjohur për kohën të quajtur Amazon, askush nuk e dinte se së shpejti do të ishim dëshmitarë të një përvoje të jashtëzakonshme digjitale të leximit dhe mësimit. Askush se kishte menduar që mund të blinim librin që donim në pak minuta, pa lëvizur nga vendi, apo të mbanin dhjetra libra me vete përmes një pajisjeje të vogël.

Ndërsa industria u transformua nga media e shkruar në përmbajtje digjitale, ne dëshmuam një rritje të menjëhershme të interesit për libra online, në rang global. Ndonëse gjithçka nisi në perëndim, tregu i librave digjital sot është shtrirë në të gjithë botën dhe pritet që të rritet me të paktën 7% deri në vitin 2025.

e-Book dhe e-Reader

Shkaqet e rritjes së tregut global të librave digjital

Sipas Technavio, një firmë globale mbi kërkimet e tregut me ekspertizë të industrisë në qindra teknologji, ka publikuar një raport në lidhje me tregun botëror të librave digjitalë.

Ky raport tregon se tregu global i librave digjital parashikohet të rritet me të paktën 7% deri në vitin 2025, një impakt pozitiv që vjen si rezultat i:

1. Rritjes së përdorimit të pajisjeve tekonologjike

Nga kompjuterët, tek smartphone-t apo e-Readers, pajisjet teknologjike janë pjesë e pandashme e jetës sonë të përditshme dhe mbi të gjitha janë një mjet i domosdoshëm edhe për bizneset. Shpejtësia e marrjes së informacionit, blerjeve dhe shitjeve të produkteve na dhënë komoditetin e arritjes së qëllimeve tona përmes klikimit të disa butonave.

Industria e librave elektronikë është ndër të parat që ka përfituar nga jetesa në epokën digjitale. Ato ofrojnë komoditet si për autorët e librave të cilët kanë shumë më pak kosto prodhimi për librin e tyre, ashtu edhe për lexuesit të cilët i blejnë ato menjëherë pa kufizime gjeografike, 24/7.

2. Ndërprerjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë Covid-19

Raporti i Technavio është përqëndruar më së shumti në 2 vitet e fundit që përkojnë me pandeminë e Koronavirusit. Sipas raportit, izolimi social për një kohë të gjatë si dhe ndërprerja e furnizimeve dhe transportit të mallrave globalisht, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e përdorimit të librave digjitalë përgjatë viteve 2020-2021. Deri në vitin 2025 pritet që kjo industri të arrijë shifrën e $6.93 miliardë.

3. Rritjes së shqetësimeve mjedisore

Përtej ndikimeve në ndryshimet klimatike, 50% e gjurmës mjedisore është për shkak të prerjes së pandalshme të pemëve për prodhimin e letrës. Efektet mjedisore të prodhimit të letrës përfshijnë shpyllëzimin, përdorimin e sasive të mëdha të energjisë dhe ujit, ndotjen e ajrit si dhe problemet e mbetjeve. Letra përbën rreth 26% të mbetjeve totale në landfill.

Sigurisht, shumë parametra mund të ndikojnë në gjurmën mjadisore të një libri si madhësia e tij, numri i faqeve, lloji i letrës (gramagji, i papërpunuar ose i zbardhur), lloji i printimit (me ngjyra ose B&W), lloji i llustrimit (mat ose me shkëlqim), me ose pa ilustrime etj. Megjithatë, shqetësimet për përkeqësimin e ndryshimeve klimaterike kanë ardhur paralelisht me marrjen e masave të para për ndërgjegjësimin nga situata. Kjo ka bërë që njerëzit dhe institucionet të zëvendësojnë pjesërisht, librat e shtypur me ato digjital.

Përfundime

Pavarësisht se librat e printuar do të jenë gjithmonë me ne, nuk mund të mohojmë faktin se avancimet teknologjike kanë ndikuar në rritjen e interesit dhe të përdorimit të librave digjitalë. Prandaj, ky artikull kishte në fokus një ndër studimet më të fundit të kryera për këtë industri në një nivel global.

Ajo çfarë studimi i kryer nga Technavio na tregoi, është se përdorimi i librave digjital do të vazhdojë të rritet me hapa relativisht të mëdhaja në vitet e ardhshme, në të gjithë botën. Deri në vitin 2025, kjo industri pritet të rritet me të paktën 7% falë ndikimit pozitiv të librave digjital tek njerëzit dhe tek klima.

Regjistrohu në newsletter

Njoftohu me email mbi librat e rinj, ofertat dhe shkrimet e fundit.