Si të inkurajoni fëmijët të lexojnë më shumë libra

Përse fëmijët nuk duan të lexojnë libra?

Për shumë familje, leximi i librave është një aktivitet i këndshëm kur fëmijët janë të vegjël, por shndërrohet në një betejë ndërsa fëmijët rriten. Prindërit janë të vetëdijshëm se leximi i vazhdueshëm i librave, është thelbësor për suksesin akademik të fëmijëve dhe jo vetëm. Me zhvillimet e shpejta teknologjike, është çdo herë e më e vështirë të inkurajosh fëmijët të lexojnë lira jashtëshkollorë, kur ata tundohen nga video lojërat, media sociale dhe TV, të cilat zënë një pjesë të konsiderueshme të kohës së tyre. E gjithë kjo e ka kthyer leximin në një fushë betejë, kur në fakt, duhet të jetë një eksperiencë e gëzueshme.

Një fëmijë që mban në dorë një libër

Është më e lehtë për fëmijët të zhvillojnë aftësi leximi kur për ta, ky është një proces që u fal kënaqësi. Në këtë mënyrë ata do të ndihen më të motivuar për të përballuar sfidat e leximit në moshë të vogël. Në këtë artikull, ne kemi renditur disa këshilla mjaft të vlefshme, se si të nxisni fëmijët tuaj që të lexojnë më shumë libra - me shpresën që ata ta marrin vetë iniciativën dhe të kërkojnë që t'u blini libra në vend të smartphone.

Jepuni lirinë që ata t’i zgjedhin vetë librat

Nuk duhet të gjykoni zgjedhjen e fëmijëve tuaj kur bëhet fjalë për librat. Ata mund të mos jenë duke lexuar librat që ju mendoni se ndihmojnë më shumë në zhvillimin e tyre, por kjo nuk duhet t'ju shqetësojë. Qoftë libra komikë, libra rreth statistikave të sportit, fantazi apo romane grafike, të gjitha këto janë forma të shkëlqyera të leximit. Ashtu si të rriturit edhe fëmijët duhet të jenë të lirë në zgjedhjet e leximit. Kjo nuk do të thotë që ata nuk kanë filluar të mësojnë ndryshimin midis shkrimit të mirë dhe atë më pak të mirë.

Praktikoni rileximin e librave

Lejojini fëmijët që t'i rikthehen disa herë librave të tyre të preferuar. Nëse i vogli juaj ka dëshirë të lexojë të njëjtin libër më shumë se një herë, kjo dëshirë do ta nxisë atë të lexojë çdo ditë e më shumë. Pasi të jetë 'ngopur' së lexuari të njëjtin libër, ai do të nisë kërkimin për librin e preferuar të rradhës. Rileximi i ndihmon ata të jenë të shpejtë dhe të saktë gjatë këtij procesi, njëkohësisht duke ndihmuar në zhvillimin e krijimtarisë së tyre.

Ktheni leximin në aktivitet argëtues

Mundohuni të shmangni shikimin e TV si 'çmim' apo 'shpërblim' kur ata sillen mirë, dhe leximin e librave si 'ndëshkim' kur ata bëjnë gabime. Kujtojuni fëmijëve tuaj se leximi i librave është po aq argëtues sa TV, dhe mundohuni të lexoni bashkë me ta. Leximi duhet të jetë pjesë e aktiviteve tuaja argëtuese, ku mund të përfshihen të gjithë pjesëtarët e familjes. Argëtohuni bashkë me fëmijët tuaj duke i nxitur të lexojnë një libër, e më pas duke krijuar pyetësorë të ndryshëm rreth librit, për ta bërë këtë aktivitet të duket si një lojë.

Mbani gjithmonë me vete një libër

Gjatë kohës që jeni në udhëtime të gjata, në pushime apo salla pritjeje, mos harroni të merrni me vete një apo disa libra që fëmijët tuaj mund të lexojnë ndërkohë që presin. Tregimet e librave do t’i mbajnë fëmijët të zënë me një aktivitet të vlefshëm, ndërkohë që nuk kanë asgjë për të bërë. Kjo mund të bëhet një rutinë e zakonshme dhe fëmijët do të kenë gjithmonë kohë për lexim. Nëse nuk keni mundësi të mbani shumë libra me vete, atëherë e-books janë zgjedhja e duhur në këtë rast. Mjafton të blini një e-reader dhe të shkarkoni qindra libra duke krijuar bibliotekën ideale për të vegjlit tuaj online, që ju ofron komoditet edhe ju.

Nxisni leximin me zë

Me siguri u keni lexuar gjithmonë libra me tregime fëmijëve tuaj, para se të flenë apo edhe gjatë një shëtitjeje në park. Tashmë është koha që rolet të ndryshojnë disi. Lejoni që edhe fëmijët t'ju lexojnë me zë librat e tyre të preferuar, pasi ata do të ndihen se u keni dhënë një detyrë të rëndësishme që do të duan ta zbatojnë me sukses. Tregohuni të interesuar gjatë kohës që ata po ju lexojnë librin dhe bëjuni pyetje rreth historisë që po tregojnë apo personazheve të librit. Pavarësisht këtij aktiviteti, rutina ku ju i lexoni atyre libra, mund të vazhdojë të mbetet e tillë.

Lexoni librin, më pas shihni filmin nga ku është bazuar

Zgjidhni disa libra që janë kthyer në filma dhe bëni një pakt me fëmijët tuaj. Nëse ata do të lexojnë fillimisht librin, ju do i lejoni të shohin në TV realizimin filmik të bazuar nga ky libër. Ky mund të jetë një aktivitet argëtues për të gjithë familjen, pasi mund të organizoni mbrëmje filmike për të komentuar librin që fëmijët tuaj sapo kanë lexuar. Në këtë mënyrë, ata do të motivohen që të lexojnë më shumë libra, pasi do të mendojnë se ky aktivitet shoqërohet me një 'shpërblim'.

Krijoni një bibliotekë të dedikuar për ta

Bëjini librat të arritshme për fëmijët tuaj në çdo aspekt. Krijoni një bibliotekë posaçërisht për ta, dhe pyetini fëmijët se si kanë dëshirë t'i organizojnë librat e tyre në këtë hapësirë. Nëse fëmijët tuaj dëshirojnë të lexojnë, ata do të dinë se ku gjenden librat dhe do ta marrin vetë iniciativën për të 'rrëmbyer' librin e rradhës, pasi do ta dinë shumë mirë se ku gjendet ai.

Shkruani dhe diskutoni me ta fjalët e reja që mësuan

Leximi i librave dhe të shkruarit janë procese që ecin paralelisht dhe asnjëra prej tyre nuk duhet neglizhuar. Jepuni fëmijëve materiale për të shkruar gjatë kohës që lexojnë apo pasi e kanë përfunduar leximin e librit. Ju mund t'i kërkoni atyre që të shkruajnë një përshkrim të shkurtër që librit që lexuan, ose të mbajnë shënim fjalët e reja që nuk kuptojnë. Ushtrime të tilla, ndihmojnë shumë në zhvillimin e këtyre aftësive, aq më tepër kur ju u gjendeni pranë për t'i diskutuar ato.

Përmbledhje

Ankesat më të zakonshme të fëmijëve janë se leximi është ‘i mërzitshëm’ ose se ata nuk mund të gjejnë asgjë interesante për të lexuar. Studimet e shumta tregojnë se fëmijët kanë një mungesë të madhe entuziazmi kur vjen puna tek leximi, për shkak të shpërqëndrimeve teknologjike që i rrethojnë. Kini parasysh se të nxisni fëmijët tuaj që t'i drejtohen librave në vend të TV apo video lojrave, nuk është një proces i thjeshtë, dhe ata nuk duhet të ndihen të sfrustruar nga përpjekjet tuaja.

Për të ndihmuar fëmijët tuaj të kenë sukses në shkollë por edhe të jenë produktivë gjatë kohës së lirë, ju duhet të bëni pjesën tuaj që ata të formojnë një bazë të fortë të aftësive të leximit, shkrimit dhe të folurit. Sfida më e madhe është t'i bëni ata të kuptojnë se leximi i librave nuk është vetëm pjesë e detyrave shkollore, por një aktivitet i këndshëm dhe gjithëpërfshirës. Me implementimin e këshillave të përmendura në këtë artikull, ju do ta keni më të lehtë arritjen e këtij qëllimi.

Regjistrohu në newsletter

Njoftohu me email mbi librat e rinj, ofertat dhe shkrimet e fundit.