Si të zgjidhni një e-Reader të përshtatshëm për ju

Çfarë është një e-Reader?

Falë zhvillimeve teknologjike, leximi i librave online është më i lehtë se kurrë. Tashmë, librat tuaja të preferuara i gjeni lehtësisht në internet në platforma si Libroteka, pa qënë nevoja të udhëtoni në librari apo panaire, për t'i blerë ato.

Një e-Reader mes disa sendeve mbi tavolinë

Ju keni mundësinë të krijoni online bibliotekën tuaj, të cilën e merrni me vete kudo, duke shfletuar në çdo kohë - e vetmja gjë që ju duhet është një e-Reader i përshtatshëm. E-Reader, është një pajisje teknologjike e ngjashme vizualisht me tabletat, e cila shërben për të lexuar e-Books në formate si PDF apo ePub.

Si të zgjidhni një e-Reader

Ashtu si tabletat, edhe e-Readers vijnë me përmasa dhe funksionalitete të ndryshme. Në këtë artikull, ne do ju ndihmojmë të kuptoni se çfarë e-Reader i përshtatet më mirë nevoja tuaja të leximit, në bazë të karakteristikave të tyre.

Ekrani

Ekrani i një e-Reader është një element kritik që duhet të merrni parasysh kur të zgjidhni këtë pajisje. Disa e-Readers, janë të pajisur me ekrane E-ink (bojë elektronike). Kjo teknologji përdor mikrokapsula që përmbajnë grimca të zeza të ngarkuara negativisht, dhe grimca të bardha të ngarkuara pozitivisht, që ju bëjnë të ndiheni sikur po lexoni një libër të printuar. E-Ink përmban kontrast të mprehtë dhe dritë të ulët, me qëllim për të zvogëluar lodhjen e syve gjatë qëndrimit në ekran.

Gjatë zgjedhjes së pajisjes suaj, do ju duhet të vendosni nëse doni të lexoni libra në një ekran E-ink apo LCD - që është identike si ekrani i pajisjeve të tjera smart apo TV-së tuaj. Nëse jeni një fans i librave me ilustrime, revistave, apo doni një pajisje ku fëmijët tuaj të informohen dhe argëtohen përmes figurave të shumta, atëherë një e-Reader me ekran LCD, është ajo çfarë ju duhet.

Ngjyrat e ekranit

Ngjyrat e ekranit të një e-Reader, janë po aq të rëndësishme sa të gjitha elementet e tjera, pasi ndikojnë ndjeshëm në eksperiencën e lexuesit në këtë pajisje. Ngjyrat lidhen drejtpërdrejt me llojin e ekranit të e-Reader që ju do të zgjidhni. Për të vendosur nëse ju nevojitet një e-Reader me ngjyra (LCD) apo bardhë e zi (E-ink), kjo varet shumë nga llojet e e-Books që ju lexoni.

Nëse preferoni novelat e romanet, dhe lexoni shpesh në ambiente ku ka shumë dritë, atëherë një e-Reader bardhë e zi, është i duhuri për ju. E kundërta ndodh nëse lexoni revista, libra arti, gatimi dhe gjithçka tjetër që i jep rëndësi imazheve. Në këtë rast zgjidhja më e mirë do të ishte një e-Reader me ngjyra.

Bateria

Jetëgjatësia e baterisë së një pajisjeje e-Reader, varet nga koha e përdorimit deri tek elementët e brendshme të sistemit, si browser, Wi-Fi apo aplikacionet që mund të instaloni në të. Nëse doni që bateria e pajisjes të qëndrojë gjatë pa patur nevojë të karikohet, atëherë do ju duhet të zgjidhni një të thjeshtë, pa funksionalitete të shumta. Ju mund të kurseni më mirë baterinë e kësaj e-Reader, nëse tregoni kujdes me nivelin e dritës së ekranit apo me fikjen e opsionineve të shfletimit të faqeve.

Përmasa dhe pesha

Falë e-Readers, ju do të shmangni mbajtjen e librave të rëndë teksa jeni në lëvizje apo në udhëtime. Shumica e e-Readers, janë të lehta në peshë, dhe madhësia e tyre zakonisht varion sipas modelit. Disa janë të vogla e kompakte, dhe mund të futen në xhepin tuaj, ndërsa disa të tjera kanë madhësinë e një libri standard.

Kapaciteti

E-Readers kanë kapacitete të ndryshme, në varësi të madhësisë së librarisë që ju doni të krijoni brenda pajisjes. Modelet nisin me një kapacitet minimal prej 4GB dhe shkojnë deri në 32GB, aq sa për të krijuar një bibliotekë gjigande me libra virtuale brenda tij. Për t'ju krijuar një ide se sa libra mban një e-Reader, mund t'ju themi se një pajisje me kapacitet 8GB mban rreth 6000 libra, një shifër mëse e mjaftueshme për të shkarkuar libra për shumë vite.

Formatet e leximit

Zakonisht e-Readers suportojnë disa formate leximi, por jo të gjitha. Shumica prej tyre lejojnë leximin e librave apo dokumenteve elektronike në formate si ePub, PDF, MOBI apo DOC që ju lejojnë të mbani shënime brenda pajisjes ndërkohë që jeni duke lexuar, të ndryshoni madhësinë e shkronjave apo fontin e tyre. Pajisje të ndryshme e-Reader, njohin vetëm një nga këto formate, ndërsa disa janë të aftë të njohin dy apo tre formate njëkohësisht. Pra, nëse materialet tuaja janë PDF, duhet të zgjidhni një e-Reader që është i bërë posaçërisht për të njohur këtë format.

Karakteristika të tjera

Elementët e funksioneve të brendshme të një e-Reader mund të bëjnë diferencën për ju, duke ju ndihmuar të zgjidhni pajisjen që i afrohet më së miri kërkesave tuaja të leximit. Disa nga këto elemente përfshijnë lehtësinë për të mbajtur shënime, një tastierë të shpejtë, nëse pajisja lejon shkarkimin e një fjalori dhe aplikacioneve të tjera, apo nëse ajo është e thjeshtë për t'u përdorur.

Përmbledhje

Një e-Reader është një pajisje teknologjike, e ngjashme me tabletat e cila shërben për të lexuar libra elektronikë. Ju mund të lexoni në çdo kohë, kudo që jeni, pa qënë nevoja të mbani me vete libra të shtypur. Kjo sepse, një e-Reader ju lejon të shkarkoni mijëra libra elektronikë dhe t'i organizoni ato me skedare sipas dëshirës, brenda pajisjes. Zakonisht, e-Readers mundësojnë leximin e e-Books në formate si PDF dhe ePuib. Mjafton të shkarkoni librat tuaj në këto formate dhe ato do të ruhen në pajisjen tuaj përgjithmonë.

Ka lloje të ndryshme të pajisjeve e-Reader, dhe jo të gjithë mund t'i përshtaten kërkesave dhe nevojave tuaja për një lexim komod. Kur të zgjidhni pajisjen tuaj, merrni në konsideratë madhësinë e ekranit dhe cilësinë e tij, kohëzgjatjen e baterisë, peshën dhe kapacitetin. Më pas, e vetmja gjë që ju mbetet, është të shkarkoni librat tuaj të preferuar, dhe t'i lexoni ato kudo dhe kurdo.

Regjistrohu në newsletter

Njoftohu me email mbi librat e rinj, ofertat dhe shkrimet e fundit.