Erion Mollaymeri
Shto autorin/en tek lista e autorëve të preferuar.
Erioni zhvilloi interesin e tij për letërsinë artistike dhe filozofike, duke u frymëzuar nga disa figura letrare që vinin nga bota e gazetarisë, si Dino Buzzati, George Orwell apo Jerome Klapka Jerome. Duke qenë student me nota të larta Erioni zhvilloi praktikën si gazetar në televizonin UTV Education, ku vazhdoi të punonte edhe pas studimeve bachelor.
Puna më e madhe e karrierës së tij si gazetar ka qenë në këtë televizion në të cilin u profilizua më tepër drejt kulturës. Ideoi një numër programesh kuturore duke drejtuar njërin prej tyre të titulluar “Ex Libris”. Ky program i profilizuar krejtësisht në letërsi e bëri të njihej më afër me shkrimtarët bashkëkombës por dhe zgjeroi bibliotekën e tij dhe njohuritë kulturore globale, duke i zhvilluar logjikën në disa perspektiva.
Pas kësaj karriere u largua drejt Italisë, në Firenze ku vazhdoi studimet në Master Profesional pranë fakultetit të qytetit, për publicitet institucional, organizim eventesh dhe komunikim multimedial. Pas një eksperience 3-vjeçare formuese në Itali u kthye me dëshirën e mirë për të shprehur aftësitë në sektorët e kulturës, por tregu shqiptar vazhdonte të ndjente përshkallëzimet e tranzicionit. Gjatë këtyre viteve ka punuar në disa media të ndryshme, duke zhvilluar më tepër pasionin për shtypin e shkruar dhe për pamfletin si zhanër që nuk merr shumë vend në shtypin shqiptar.
Ka botuar disa shkrime nëpër gazeta si “Anti-depresivët europianë”, “Koktejl rrenash” apo “Vetëzhgënjimi i popullit”. I frymëzuar nga letërsia e shumtë, pjesë e bibliotekës së tij, ka eksperimentuar ndër vite të shkruajë në prozë, dhe së fundmi ka paraqitur romanin me titullin “Tenenmbule”. Krijimtaria e tij nuk ka qenë thjesht e fokusuar vetëm në zhanrin letrar të prozës, por edhe në skenarë të ndryshme televizivë.