Vlora ADEMI
Shto autorin/en tek lista e autorëve të preferuar.
Ka mbaruar nivelin master për Komunikim Masiv. Aktualisht merret me diplomaci kulturore duke udhëhequr dhe zbatuar projekte, e aktivitete kulturore, brenda dhe jashtë Kosovës me organizatën Social Creativity të cilën ajo e drejton. Përveç kësaj, ajo ka një punë dytësore si koordinatore, bashkëpunëtore dhe anëtare e bordit e Festivalit ETNOFEST; koordinatore e disa festivaleve jasht vendit, si dhe është themeluese e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë REPUBLIKA në Prishtinë.
Pos tjerash Vlora shkruan dhe poezi, të cilat janë përkthyer në gjuhën gjermane, angleze, italiane, arabe dhe turke.
Poezitë e saja të përkthyeme në anglisht janë botuar në antologjitë: Loyalty Walking into the Unknown”, nga Poet’s Choice, Chicago.; PËRTEJ HARRIMIT në Gjermani dhe MAGMA në Kosovë dhe në revistën letrare ndërkombëtere “Theautoetnographer”.
Gjithashtu është botuar edhe në Revistën Letrare Illz në Tiranë.
Në shkurt të vitit 2023, Shtëpia Botuese ONUFRI ka botuar edhe librin e saj të parë me poezi KATËRDHETË E PAK, promovimi i parë i të cilit është realizuar në Bruksel, për të vazhduar në Prishtinë, Shkodër, Korçë, Tiranë, Cyrih, Athinë dhe Prizren.
Libri KATËRDHETË E PAK gjithashtu është vlerësuar si vëllimi më i mirë poetik me Çmimin “At Gjergj Fishta” në Lezhë.
Ciklet e saja me poezi janë vlerësuar me vendin e parë edhe nga Bashkia e Beratit me Çmimin “Vexhi Buharaja” dhe në Konkursin Letrar “Ndoc Gjetja” në Lezhë.
Anëtare e jurisë për çmimin e përvitshëm në fushën e letërsisë “Azem Shkreli”, themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Pjesëmarrëse në disa festivale, si: Polip International Poetry Festival- Prishtinë; Netët Korçare të Poezisë- Korcë; Kulti i Dashnisë – EtnoFest; Kalimera Poetike- Ulqin; Poezi n’Festë – Shkodër; Takim me autoren – Athinë, si dhe në dy panaire të librit jasht vendit: Gjenevë dhe Bruksel.
Aktualisht, përveç rolit të saj si nanë, punës si drejtuese, dhe menaxhere, ajo gjithashtu është edhe trajnere dhe vazhdon të jap kontributin e saj për kauza vetëdijësimi në shoqëri.