Kopertina e librit KATËRDHETË E PAK

Shpërndaje në:

KATËRDHETË E PAK

Çmimi:

900 Lekë

Shto librin tek lista e librave të preferuar.

Kategoria Poezi
Formati PDF
Shtëpia botuese ONUFRI
Data e botimit 14 Shkurt 2023
Gjuha Shqip
Numri i faqeve 96
ISBN 978-9928-391-19-3

Pajisjet ku mund të lexohet libri

Desktop
eReader
Tablet
Windows
IOS
Android

Përmbledhja

Pak fjalë për “Katërdhetë e pak” të Vlora Ademit

Te vëllimi i Vlora Ademit që keni në dorë, jo veç temat, por edhe qasjet janë të larmishme: thellime dhe përvoja jetësore, mbresëlanëse e bindëse, që karakterizojnë nji ardhje të qëllimshme në poezi, si formë sintetike mendimi e shestimi letrar. Vlora Ademi ka prirjen dhe shënjestrat e sigurta kah poezia spirituale, kah përvojat e thella dhe intimiteti. Ajo ban kërkime poetike në drejtim të përcaktimit të nji identiteti të thellë të grues universalisht. I intereson së tepërmi me e rrokë qenien e vet dhe homogjeninë e saj, me ditë kush asht, kah vjen e ku shkon, cili asht misioni i saj personal në harkun e ekzistencës dhe cilat janë rrugët e realizimit optimal e maksimal të vetvetes në paqe me shoqninë e me vetveten. Pra, temën e preferueme e ka individualizmin dhe shtigjet produktive të tij.
Në poezinë K’shtu t’due, ajo fillon me hulumtue vetveten qysh te qyteti i lindjes, Prizreni, pa iu dorëzue tundimeve mikluese ndaj tij, por tue u ngritë kryesisht mbi tabanin kulturor e shujtën shpirtnore me të cilën u ushqye në atë qytet, nëpërmjet strukturash mendore që trashëgoi me t’u largue prej tij. Qyteti për te asht nji mitër e madhe, që prodhon qytetarë e individë, botë shpirtnore e kapacitete lirie. Me larminë kulturore që e karakterizon, Prizreni i Vlora Ademit asht edhe kallëpi që e polli, edhe angazhimi i saj ndijor, por edhe liria e kritikës dhe e të drejtës me zgjedhë.
Po aq të veçanta te poezitë e Vlora Ademit janë anatomitë e përimtueme të kujtimeve të fëminisë. Kujtimet janë ndoshta pjesa ma solide e personalitetit të saj, magma e ngrime që ia ka formësue peizazhin e mbrendshëm e të jashtëm. I nji ndjeshmënie të naltë asht përshkrimi me terma thellësisht lirikë i Dimnave të fëminisë. Në poezinë e saj ka nji rizgjim nga bota e përshtypjeve të ngurosuna e të ngulituna e deri te zgjedhja e ndjesive si nji landë e parë që nuk mundet me i shërbye askujt ma fort se artit e, në rastin tonë, poezisë. Tek kjo poemë kaq shum ka dridhje e vibracione imazhesh, sa do të donim që, para se me përgëzue këtë poete që po vjen në mesin tonë, ta pyesnim me seriozitet dhe me angazhim, nëse ajo mundet me shkrue gjithmonë kështu. Me na dhanë imazhe me kontraste të qarta piktorike, me ngjyra që, në mënyrën si janë, paralajmojnë shpërthime të ngadalshme dramaticiteti e tensioni të mbrendshëm. Shallat e hedhun mbi borë, palltot e kuqe të fëminisë dhe ideja se edhe dimni mërdhet janë inversione të mrekullueshme poetike që na çojnë në shijime të formës e të imazhinizmit që shfaqet në të tilla vargje.
Temë tjetër që autorja e ka po aq për zemër asht fati i veçantë i grave të Kosovës, sidomos i atyne që përjetuen tmerret e luftës dhe dhunën e pushtuesit në ikje. Kjo temë kaq delikate, që gjithnji mbulohet me nji tis misteri e pëshpërime shkallmuese, gjen në formulën poetike të Vlora Ademit nji trajtim të denjë, të përkorë, jo skandalizues. Poetja i mban përshkrimet në nji distancë diskrecioni që edhe i sugjeron gjanat, edhe e shmang brutalitetin e thelbit të asaj që po serviret në pikun e tragjizmit të vet. Nanat Ferdonije dhe Unë - Ajo janë poema të nji gërvishtjeje të thellë e të pagjak. Ato nuk presin ma damarë e tejza, sepse ato i kanë pre autorët e gjenocideve. Presin nerva që kullojnë limfë të bardhë e të qetë, si voj të ngathët e memec. Risi mund ta shpall se dhimbjen legjendaro-epike të nanave kosovare, Vlora Ademi e paraqet si përditshmëni me të cilën edhe vetë viktimat janë mësue, krejt të vetëdijshme se ashtu e kishin pague çmimin e lirisë dhe se valuta që paguen këtë çmim asht gjaku dhe zhdukja nga kjo botë.
Te poezia e shkrueme në këtë frymë, Atë ditë m’u çor drita e syve, doza e tragjizmit rritet fort, sepse duket që po harrohet përdhunimi prej të huejit. Në qendër, si gacë e harlisun, mosdalja zot prej të tuve. Tue qenë tema e përdhunimit letrarisht e ezaurueme, ngrihet në te si kreshtë e egërsueme ligështia e viktimave. Apostrofa e poetes prek qiellin me thonj. Vetmia ekzistenciale e përmbys heroizmin. Tue u lidhë drejtpërdrejt me nji tjetër majë të poezisë, me Fishtën dhe zemërimin e tij të pangushëllueshëm, autorja guxon blasfeminë:

Asnjani nuk e qiti hapin me i dalë para fatit tim

as burri
as vllaznit
as baba

as Ai.

Tue qenë ‘Ai’, me germë të madhe, vetë Zoti, a nuk duket se Ademi po ec nëpër teh?
Psikja e autores përplaset sa nalt në qiell, sa në tokë, për me gjetë shkakun pse njerëzit shkaktojnë të pandreqshmen e të pakthyeshmen. Dhe elegjiakizmi i saj mbetet pezull nga mungesa kambëngulëse e përgjigjeve. Atëherë ajo i sillet lexuesit dhe shpreson me ia ndalë nji çast zemrën, ose, të paktën, me i shkaktue nji takikardi a nji ekstrasistolë. Sepse për Ademin duket se asht ma se e qartë se vetëm lexuesit i takon me e ndreqë dhe me e shërue botën.
Në krahun tjetër, Vlora Ademi eksperimenton edhe me strukturat racionale të poezisë, zbulon thellësitë e shpirtit femnor, edhe kur ai nuk asht burim i dashunisë së paqtë e bukolike, por kur jeta në qelizën shoqnore na e çon psiken në shtigje interesante provash e dilemash. Ajo nuk ngurron me e pohue dashuninë në forma inversive dhe të përmbysuna. Këto aventura të mendimit zbulojnë bukur natyrën e çuditshme dhe të paparashikueshme të grues që e kërkon besimin deri te përditshmënia. Format inversive dhe të përmbysuna të shtrimit të çështjeve janë ma shum ngacmime stili sesa detyrim i aluzionit a i nji loje “hidh gur e mshef dorë”. Ajo, me vetëdijen e titullit të librit, jeton situata virtuale dhe abstraksione të jetës së përditshme, si dhe çështje të realizimit dhe zotnimit të qenies. Larg prej nji gjuhe të drejtëpërdrejtë, e cila vërtet na galdon me shpërthimin e saj, por që shpejt na mëson se kemi mbërritë limitin dhe magjia e të përtejmes zhduket, përshkrimorja e Ademit asht vetëm sugjeruese.
Lirikat e saj erotike ose me hinting erotik janë plot me risi të çuditshme dhe farefisni nga lirikat erotike të poezisë ma serioze. Dashunia nuk shihet si parajsë konstante që asht aty dhe të mbetet vetëm me zgjatë dorën. Për te duhet me luftue çdo ditë, me e kërkue tue dhanë e me e marrë tue kërkue.
Cikli Kapërcimet asht kutia magjike që ndryn lirikat e dashunisë, të cilat e ndërrojnë kryekëput tonalitetin e poezisë. Dalim kështu nga cikli mbi luftën, e ai për fatkeqësinë familjare, që e kanë tronditë thellë e gjatë autoren dhe para na hapet nji peizazh tjetër, sa i ndritshëm, aq edhe i errët, sa tingëllues, aq edhe i shurdhët në solemnitetin dhe randesën e tij. Vlora na duket se e mbrendashkruen artin e dashunisë mbrenda atij të poezisë e unë s’kisha me gjetë nji strehë a shtëpi ma të bukur për te.
Pasqyrat asht nji poezi mbi paplotninë tonë si individë me pa ma shum se ftyrën tonë të përhershme dhe metamorfozën e saj të ngadalshme. Ftyra jonë don pasqyrën e vet dhe vetëm aty na shfaqemi në plotninë e dritave e të shkëndijëzimeve, vetëm aty na verifikohet uni në korrelacion me tjetrin dhe universin. Vlora Ademi ban përpjekje shum serioze për ta rrokë dashuninë në filozofinë e saj, në pjesë te elementet e saj, si nji lojë fort e lashtë e poetëve që na kanë lanë nji pafundësi skedarësh mbi çka asht dashunia. Autorja rreshtohet me ta në spiralen e nji kotësie filozofike, sepse kotësi asht sa herë mundohesh me përcaktue atë që, sapo e “fikson” me anë të fjalës, ka ndryshue dhe ti je ba nji hallkë e vargut, e jo e vërteta që doje me shtrëngue në grusht. Ajo thotë «Dashnitë nuk ngjajnë», te poezia me të njajtin titull. Pra na duket se e len të pafundme perspektivën e rrokjes së dashnisë si koncept. Dhe nga rreshtimi i aq shum veprimeve, menjiherë na shkrep në mend sinonimia e dashnisë me jetën, paralelizmi dhe aftësia për të zavendësue njana-tjetrën si fjalë në poezinë e Ademit. Kjo tregon nji lloj orientimi kah imanenca e sendeve, kah lidhjet e thella midis nocioneve; njerëzorja duket sikur thjeshtëzohet në dy gjymtyrë të vetme.
Poezia T’paanët vjen shum e randë me patetizmin dhe dëshirën për mos me e përjashtue as atë dozë dramaticiteti, madje as atë “krypë” tragjizmi që mbart dashnia në dallgëzimet e saj. Aty ku pohon, aty edhe mohon, aty ku bien e rrëzohet, aty çohet fluturim me marrë qiellin dhe, si në nji simfoni, e mbyll me nji atako të fortë, por evazive: Na jemi t’paanë. Kurse me shum adresë ndërtekstore dhe ndërgjinore asht përdorë në lirikat e Ademit edhe teknika e alibisë së vetës së tretë, që kaq rëndom gjendet tek proza dhe nëngjinitë rrëfimtare.
Kudo në poezitë e V. Ademit ndihet shija dhe flakërimi i nji gëzimi të përmbajtun e që asht ai i përfshimjes në krijimtari. Miqtë e mikeshat e kësaj poeteshe e shohin këtë libër si nji kist të parë që mposhti ngurrimin dhe fitoi guximin e daljes në mejdanin letrar.
Ademi tjerr vargun, e tëhollon, e bashkë me të imazhin që përftohet, e sublimon dhe mandej imagjinata e lexuesit inteligjent e fin, endet nëpër veçantitë e leximit krijues e personal. Ajo shkruen varg të lirë e të shkrydhët, i qëmton idiomat dhe mënyrat endemike të të shprehunit dhe kryen me to operacione të vërteta eksperimentale në përpjekje për të ndërtue letërsi me anë të gjuhës dhe jo gjuhë me anë të letërsisë. Kjo ia ban poezinë të ngjyrshme dhe lozonjare, sugjestive dhe jetësore, tekanjoze dhe kureshtare. Por gjithnji ajo asht serioze, synon thellësinë edhe në pjesën ma të paangazhueme ose në përshkrimin e nji përshtypjeje kalimtare.
Ky asht nji fillim i mirë për poeteshën. Ajo premton me poemat e këtij vëllimi të parë se, me daljen në dritë të tij, do t’i hapet asaj ai lloj boshllëku, që zakonisht synon të mbushet me materialet e nji libri të dytë, e kështu me radhë.
Primo SHLLAKU

Vlerësime

0
0 përshtypje (0 përshtypje)
5

0% (0%)

4

0% (0%)

3

0% (0%)

2

0% (0%)

1

0% (0%)

Lini përshtypjen tuaj

Ju duhet të bëni log in për të shtuar një përshtypje.

Libra të ngjashëm me "KATËRDHETË E PAK"

Regjistrohu në newsletter

Njoftohu me email mbi librat e rinj, ofertat dhe shkrimet e fundit.