Rosy Gallace
Shto autorin/en tek lista e autorëve të preferuar.
ROSY GALLACE ka lindur në Guardavalle, në provincën Katanxaro të Kalabrisë dhe jeton në Reskaldina të Milanos.
Në vitet ‘60 të shekullit të kaluar u transferua me familjen në Legnano (Milano), ku studioi dhe punoi. Që në rini ka kultivuar pasionin për të shkruar poezi e tregime. Nga viti 2011 filloi të merrte pjesë në konkurse letrare kombëtare e ndërkombëtare, ku u vlerësua me çmime të shumta dhe prestigjioze, përfshirë Çmimin e Kulturës në vitin 2014. Në të njëjtin vit u vlerësua nga kryetari i Bashkisë së qytetit të Reskaldinës, prof. Michele Cattaneo, për angazhimin në fushën e kulturës. Veprat e saj janë përfshirë në disa antologji të poezisë bashkëkohore.
Rosy Gallace është ideatore, organizatore dhe presidente e disa konkurseve letrare. Organizon lexime poetike dhe prezantime librash, si dhe është anëtare jurie në konkurse të ndryshme letrare. Këndon në korin Santa Cecilia të Reskaldinës dhe u mëson të huajve gjuhën italiane në mënyrë vullnetare.
Ka marrë pjesë dhe ka bashkëpunuar edhe si sekretare e produksionit të Operës Teatrore “Hije të kujtesës munduese”, shkruar dhe drejtuar nga poeti, shkrimtari dhe regjisori Fabiano Braccini, në kujtim të viktimave në kampet e përqendrimit nazist, prezantuar në teatro të ndryshme italiane. Ka botuar librat me poezi: “Fragmente të vogla”, “Ditët që mbeten”, “Fjalët e pathëna”, “Gjurmë kujtese”, “Përtej fjalëve”, “Transparencë e dritë” etj.
Veprat e saj janë përkthyer dhe botuar në gjuhën angleze, shqipe e rumune nën kujdesin e poetes, shkrimtares dhe përkthyeses Irma Kurti.