Irma Kurti

IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 100 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, shumë prej të cilave kanë qenë çmime të para. Përveçse në Shqipëri, ka fituar gjithashtu çmime në konkurse letrare ndërkombëtare në Greqi, ShBA, Kanada, Filipine, Liban dhe Kinë. Ka shkruar rreth 200 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivalet e muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Në 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në vitin 2021 nderohet me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali. Po ashtu, i janë akorduar çmimet “Leonardo da Vinci” dhe “Giacomo Leopardi” nga Shoqata Kulturore “Chimera” në Leçe.
Në vitin 2022 emërohet Ambasadore për Shqipërinë e Çmimit Akademik Internacional të Letërsisë Bashkëkohore Seneca nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari. Iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Është nderuar me diplomën e meritës dhe medaljen Grazia Deledda nga Komiteti Kombëtar brenda Enciklopedisë Poetike WikiPoesia me rastin e 150 vjetorit të lindjes së poetes së madhe italiane. Është nderuar me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër.
Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë. Ajo ka botuar mbi 115 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Të gjitha librat i dedikohen kujtimit të prindërve të saj të dashur Hasan Kurti dhe Sherife Mezini që e kanë përkrahur dhe inkurajuar në çdo hap të rrugëtimit letrar.
Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 23 vende të botës.

Nga Irma Kurti

Regjistrohu në newsletter

Njoftohu me email mbi librat e rinj, ofertat dhe shkrimet e fundit.