Arsyet përse e-Books po fitojnë çdo ditë e më shumë popullaritet

Kuptimi i përfitimeve të e-Books nga lexuesit

Kur e-books dolën për herë të parë në treg në fillim të viteve '00, shumica e njerëzve ishin skeptikë për këtë risi. Që nga ajo kohë, ka një debat të vazhdueshëm nëse e-books janë apo jo më të mirë se librat e shtypur.

Shkrim mbi mur që thotë 'I read it on an e-Book

Megjithëse shumë njerëz thonë se nuk e zëvendësojnë dot ndjesinë e të prekurit një libër të printuar apo aromën e tij, librat elektronikë kanë disa përfitime më shumë se këto të parat, të cilat nuk mund të mohohen. Përdorimi i librave të printuar do të vazhdojnë gjerësisht, por shumë persona po kuptojnë çdo ditë e më shumë rëndësinë e librave elektronikë.

Njerëzit tashmë duan të përfitojnë nga avantazhet që e-books ofrojnë, dhe pikërisht për këto kemi vendosur të shkruajmë në këtë artikull. Nëse jeni kuriozë të mësoni më shumë mbi përfitimet që na sjellin e-books, vazhdoni të lexoni.

Transportohen lehtësisht

Shumë prej librave të printuar janë të rëndë për t'u mbajtur apo transportuar, sidomos për ata persona të cilët kanë vështirësi fizike, si dhembje kyçesh, probleme të kockave apo ata të cilët nuk u këshillohet që të mbajnë pesha. Falë e-books, askush nuk duhet të shqetësohet më për mbajtjen e tyre në krah apo në çantë, për orë të tëra teksa jeni në lëvizje. Mjafton të blini një e-reader, dhe do të keni qindra e mijëra libra brenda një pajisjeje të vetme, që nuk do t’ju rëndojë në asnjë moment.

Ruajnë mjedisin

Nuk mund të theksohet mjaftueshëm se sa shumë ndikon prerja e pemëve për prodhimin e letrës në prishjen e ekosistemit, dhe përshpejtimit të ngrohjes globale në planet. Për të prodhuar libra elektronikë, përdoren më pak resurse natyrore. Asnjë pemë nuk pritet, nuk përpunohet në letër dhe nuk transportohet. Kostot e prodhimit të një e-reader që do ta përdorni për shumë vite, dhe kostot e energjisë elektrike të nevojshme për ta përdorur atë, janë shumë herë më të vogla në krahasim me ato që nevojiten për të prodhuar libra të printuar. Impakteve pozitive të e-books në mjedis, iu kemi dedikuar një artikull të veçantë, që ju mund ta lexoni këtu.

Kushtojnë më pak

Për shkak se librat elektronikë janë skedarë digjitalë, dhe nuk kanë koston e shtuar të prodhimit fizik, ata zakonisht janë më pak të shtrenjtë se versioni i printuar i tyre. Nëse jeni lexues i rregullt, do të kuptoni se sa pak para do të harxhoni për plotësimin e librarisë suaj virtuale. Nëse jeni autor, do e shikoni menjëherë vlerën e e-books në krahasim me librat e printuar. E-books kanë më pak kosto prodhimi dhe më shumë shanse për t'u shitur për shkak të çmimit të përballueshëm, dhe të shpërndarjes së shpejtë online.

Ofrojnë fleksibilitet në lexim

Ndryshe nga printimi, librat elektronikë ju lejojnë të ndryshoni madhësinë e shkronjave dhe stilin apo tipografinë e tyre. Nëse keni hasur vështirësi me shkronjat e vogla në një libër të printuar, mund ta rregulloni këtë gjë lehtësisht në çdo libër elektronik, pavarësisht pajisjes apo ekranit ku jeni duke e lexuar atë. Gjithashtu, mund të personalizoni sipas dëshirës fontin e librit elektronik, nëse nuk ju pëlqen stili i paracaktuar.

Lexohen edhe në ambiente të errëta

Meqenëse pajisjet e-reader kanë ekran të ndriçuar sikundër PC apo pajisjet e tjera elektronike, ju mund të lexoni edhe në errësirë apo ambiente me dritë të ulët. Për sa kohë pajisja juaj e-reader është e karikuar, ju mund të lexoni gjatë natës, në momente kur ka ndërprerje të energjisë elektrike apo në çdo situatë tjetër të ngjashme, duke ju ofruar një komoditet më shumë se librat tradicionalë.

Kanë jetëgjatësi

Librat e printuar, duan kujdes gjatë përdorimit dhe kërkojnë mirëmbajtje të vazhdueshme në mënyrë që të mos dëmtohen. Fatmirësisht e njëjtja gjë nuk vlen për e-books, pasi formatet digjitale do të vazhdojnë të mbesin njësoj si momentin e parë kur ju i keni shkarkuar ato. Pavarësisht se mund të ketë kaluar një kohë e gjatë nga blerja e librit digjital, ai do të jetë gjithmonë i ri.

Zënë më pak vend

Siç e përmendëm edhe më lart, ju mund të ruani një pafundësi librash digjitalë në një pajisje të vetme siç është e-reader. Të gjithë bibliotekën tuaj virtuale mund ta merrni me vete për të lexuar kudo dhe kurdo. Kjo do të kursejë shumë hapësirë në shtëpinë tuaj, madje nuk do të keni as frikën se mund të humbisni apo të harroni një libër gjetkë. Nga ana tjetër, do të kurseni kohë edhe nga organizimi i rafteve të librave në shtëpi.

Zbuloni një shumëllojshmëri librash dhe autorësh

Ka shumë autorë të pavarur të cilët, botimet e tyre i disponojnë vetëm në formatet digjitale. Shumë nga këto krijime, janë shumë të shkurtra për t'u botuar si libër i printuar, prandaj ekzistojnë vetëm si e-books. Ju mund të zbuloni autorë të ri mjaft premtues duke eksploruar online, të cilët me siguri nuk do t'i gjenit asnjëherë nëpër dyqane, librari apo biblioteka. Kështu, mund të arrini të gjeni librin e rradhës që mund të bëhet i preferuari juaj, apo libra dhe dokumente shkollore që mund t'ju vijnë në ndihmë gjatë studimit.

Përmbledhje

Mijëra njerëz tashmë përdorin internetin si mjetin e tyre të preferuar për libra, revista, muzikë dhe filma. Ka shumë arsye përse të gjithë libërdashësit duhet të përfitojnë nga librat elektronikë.

Ato ofrojnë më shumë avantazhe sesa librat e printuar, dhe kanë më shumë përparësi që e bëjnë përvojën e leximit më të lehtë dhe më të këndshme. Nuk ka rëndësi se në cilën pajisje vendosni të lexoni e-books. Kryesorja është që ju të vazhdoni të lexoni!

Regjistrohu në newsletter

Njoftohu me email mbi librat e rinj, ofertat dhe shkrimet e fundit.