Historiku i evoluimit të librit nga lashtësia në kohët moderne

Rëndësia e librave

Librat kanë qënë një gur themeli i edukimit dhe argëtimit për shekuj me rradhë, dhe janë akoma një mjet kryesor për eksplorimin dhe shkëmbimin e ideve. Prandaj, nuk është për t'u habitur që ato zënë një vend të veçantë në sferën e Pronësisë Intelektuale (IP), dhe zhvillimit historik të njerëzimit. Bota që ne njohim sot, nuk do të ishte zhvilluar kaq shumë, nëse nuk do të ishin krijuar librat.

Një libër i hapur mbi tavolinë

Përgjatë historisë, njerëzit kanë përdorur materiale të ndryshme për të shkruar, dhe procesi ka qënë shumë herë më i vështirë se sot. Studiuesit e historisë së librave, kanë konfirmuar se origjina e materialeve të hershme për shkrimin e tyre përfshin pllaka, bambu, gurë shkëmborë dhe fletë papirusi.

Në këtë artikull, do të mësoni disa fakte interesante se si ka nisur krijimi i librave, dhe si kanë evouluar ato nga lashtësia deri në kohët moderne.

Origjina e lashtë: Kuneiforma (3000 p.e.s)

Nocionet e para të librave vijnë nga Mesopotamia e lashtë dhe janë quajtur kuneiforma - shkrim me simbole i skalitur në materiale të forta. Në ato kohë, pothuajse të gjitha llojet e materialit natyror si argjilë, lëvore, gur apo dyll, mund të shndërroheshin në telajo për vizatime dhe shkrime. Përdorimi i pllakave të argjilës, është regjistruar veçanërisht gjatë epokës së bronzit dhe të hekurit. Shumica e dokumenteve që datojnë në këtë periudhë përshkruajnë ligjet, filozofinë, historinë dhe besimin fetar, ose një përzierje të tyre.

Përdorimi i telajove prej dylli prezantoi një veçori të re në këtë periudhë: riciklimin e dokumenteve të shkruara, ku telajot mund të shkriheshin dhe të formoheshin nga e para. Pllakat e çdo materiali në këtë periudhë, veçanërisht ato të bëra prej balte, u përdorën deri në shekullin 19 - pavarësisht zbulimit të letrës.

Papiruset dhe pergamenat (2400 p.e.s)

Papirusi dhe pergamena ishin paraardhësit e letrës. Papirusi, një bimë e zakonshme në rajonin e Nilit, ishte një material i njohur për shkrimtarët në Egjiptin e Lashtë. Të ngjitura së bashku, këto fletë papirusi formuan dorëshkrimet të cilat mblidheshin si rrotull. Përgjatë kulturave kineze, hebraike, helenistike, maqedonase dhe romake, rrotulla ishte forma më dominuese e librit. Në Azi, rrotullat u përdorën për një periudhë më të gjatë sesa në botën romake.

Me rënien e Perandorisë Romake, përdorimi i papirusit gjithashtu u zvogëlua, për shkak të mungesës së kontaktit me Egjiptin. Pergamena zëvendësoi përdorimin e papirusit. Ato përpunoheshin duke përdorur lëkurën e kafshëve të ndryshme. Pasi u zbulua se pergamenat ishin materiale më rezistente se papiruset, ato patën shtrenjtim të menjëhershëm në kostot e prodhimit dhe shitjes.

Letra (105 e.s)

Rastet e para të prodhimit të letrës janë raportuar në vitin 105 pas Krishtit megjithatë, asokohe letra përdorej si material mbështjellës dhe mbushës. Ajo nisi të përdorej për shkrime përgjatë shkekullit të 3-të. Krahas shkrimit, përdorimi i sai u zgjerua edhe më shumë në produkte si letra higjenike, qeset e çajit apo paratë.

Futja e fabrikave të letrës në shekullin e 11-të, bëri të mundur përhapjen e saj në Europë. Për shkak të thjeshtësisë së prodhimit të letrës së re, ajo shpejt u bë një material me çmim shumë të lirë, duke zëvendësuar një herë e mirë pergamenat.

Printimi (Shekujt 11-15 e.s)

Pavarësisht se letra bëri të mundur shkrimin e dokumenteve të ndryshme në masë, riprodhimi i Biblës dhe kopjet e dokumenteve ligjore apo librat, duhej të bëheshin me dorë. Natyrisht, kjo mori shumë kohë duke qënë se ishte një proces që mund të realizohej vetëm nga ata që ishin në gjendje të shkruanin.

Për pjesën më të madhe të historisë së regjistruar, krijimi dhe riprodhimi i librave ishte një përpjekje e ngadaltë dhe e mundimshme, duke i bërë ato tepër të shtrenjtë për shumicën. E gjithë kjo ndryshoi në mënyrë drastike kur Johannes Gutenberg (botues, autor gjerman) ndërtoi shtypshkronjën e parë në botë në 1450-ën, duke revolucionarizuar kështu përhapjen e ideve dhe vetë konceptin e të drejtës së autorit. Ai zbuloi se shtypja e librit mund të bëhej në sasi të mëdha, e me kosto relativisht të ulëta. Falë tij, përhapja e librave u shtri në të gjithë Europën më shpejt se asnjëherë tjetër.

Libri siç e njohim sot (1501)

Pas vdekjes së Gutenberg, shtypshkronjat u përhapën kudo, kjo për faktin se botuesi gjerman nuk pati pronësi mbi shpikjen e tij. Gjatë viteve 1490, humanisti italian, Aldus Manutius krijoi shtypshkronjën 'Aldine Press', duke sjellë për herë të parë modelin e shkrimit të pjerrët, dhe kapakët e mirëfilltë të librit. Për shkak se Aldus kishte një pasion për të ruajtur veprat e mëdha të grekëve, ai i printoi këto vepra në format të vogël për t’u mbajtur në xhep. Ai e realizoi këtë gjë duke përdorur fontin italik për të ngjeshur më shumë fjalë brenda një faqeje, në mënyrë që ato të shpërndahen lehtësisht mes njerëzve.

Në Amerikë, shtypshkronja e parë mbërriti në vitin 1640, falë puritanëve të cilët publikuan librin 'Psalmi i Gjirit' me vargje nga Bibla. Deri më sot, vetëm njëmbëdhjetë kopje të këtij libri thuhet se ekzistojnë. Me fillimin e viteve 1700 nis epoka e industrializimit në SHBA, ku printimi dhe shtypja e librit kalon në disa faza. Në vitet 1900, libri merr formën që ka sot, por shtohet prodhimi i revistave, gazetave dhe librave letrarë. Me daljen e novelave, romaneve dhe poezisë, autorë nga e gjithë bota nisën të publikonin krijimet e tyre.

Librat digjitalë (1985)

Sipas ‘Wikipedia’, ideja e krijimit të një pajisjeje elektronike për lexim, erdhi nga shkrimtari dhe sipërmarrësi Bob Brown. Në vitin 1930, ai shkroi një libër të tërë mbi këtë shpikje dhe e titulloi atë ‘The Readies'. Do të duheshin mbi 40 vite që vizioni i Brown të bëhej realitet. Nga viti 1971, Michael S. Hart (krijuesi i librit digjital) filloi 'Project Gutenberg' dhe digjitalizoi Deklaratën e Pavarësisë së SHBA, duke e bërë atë librin e parë elektronik në botë. Viti 1971 ishte gjithashtu periudha kur u dërgua email-i i parë në botë, midis dy kompjuterëve mainframe.

Në fillim të viteve 1980, u shfaq kopja e parë digjitale e një libri e cila nuk shërbeu vetëm për printim. Libri i parë i shpërndarë në CD në një formë teksti të thjeshtë, ishte një version i Enciklopedisë Akademike Amerikane.

Në 1985-ën, u themelua kompania ‘Voyager’, një pioniere në CD-ROM, e cila realizoi projektin 'The Expanded Books'. Ata eksperimentuan dhe krijuan 50 kopjet e para të librave digjitalë në CD-ROM. Projekti u përqëndrua në përsosjen e zgjedhjes së shkronjave e madhësisë së tyre, hapësirën mes rreshtave, dhe detaje të tjera të debutimit të mirëfilltë të librit në format digjital.

E-books (2000)

Në fillim të viteve '00, ndodhën katër ngjarje të rëndësishme: 1) u lançuan e-readers të dedikuar për e-books: 'Rocket e-book' dhe 'Softbook'; 2) U lëshua ISBN-ja e parë për një e-book; 3) Bibliotekat amerikane filluan të ofrojnë libra elektronikë falas për publikun, përmes faqeve të tyre të internetit; 4) U themelua 'Google' nga Larry Page dhe Sergey Brin.

Me publikimin e Amazon Kindle në vitin 2007, e-books u bënë më të arritshme për audiencën falë pajisjeve të posaçme për leximin e tyre. Sot, lexuesit nga e gjithë bota mund të shkarkojnë librat elektronikë në pajisje të posaçme e-reader, në formate si pdf, Epub apo doc, ose t'i ruajnë ato direkt në kompjuterin e tyre, tableta apo smartphone.

Përmbledhje

Kjo histori e shkurtër që gjurmon evolucionin e librave duhet të na frymëzojë t'i vlerësojmë dhe shfrytëzojmë librat edhe më shumë. Sidomos për faktin se zhvillimi teknologjik na ndihmon që t'i marrim ato lehtësisht nga pajisjet tona elektronike.

Librat nuk kanë qënë asnjëherë më të arritshme se sot dhe histroria e tyre e vërteton më së miri këtë fakt. Thënë kjo, sa herë të mbani në duar një libër apo një e-reader, ia vlen të reflektoni mbi fuqinë unike të këtij mediumi për të informuar, ndikuar dhe frymëzuar pozitivisht këdo në komunitetin tuaj.

Regjistrohu në newsletter

Njoftohu me email mbi librat e rinj, ofertat dhe shkrimet e fundit.