Nga librat digjital tek kujtimet e vyera me babain - Intervistë me shkrimtaren dhe poeten Irma Kurti
Përmbajtja
- Njohje me shkrimtaren Irma Kurti
- Një autore kaq e talentuar bëhet pjesë e Librotekës, çfarë ju shtyu të provoni tregun e librave digjitalë?
- Libri “Kujtimet e një mjeku” është publikimi juaj i parë tek Libroteka dhe bazohet mbi dorëshkrimet e jetës dhe karrierës si radiolog të babait tuaj të ndjerë. Mund të na zbuloni disa detaje të tjera rreth këtij libri, që mendoni se audienca jonë duhet t'i dijë?
- Çfarë ndjesish keni përjetuar teksa ishit duke shkruar këtë libër, me epiqendër figurën e babait tuaj?
- Raporti juaj me babain ka qenë i veçantë. A mund të na tregoni diçka më tepër lidhur me këtë?
- Nëse babai juaj, Hasan Kurti, nuk do të kishte qënë mjek radiolog por shkrimtar, cili do të kishte qënë fokusi i librave të tij?
- Ju keni fituar mbi 70 çmime për veprat tuaja dhe jo vetëm, cilën prej tyre do të veçonit si të preferuarën tuaj? Pse?
- Ju jeni poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe njëkohësisht edhe përkthyese! Cili prej këtyre profesioneve ju ka sfiduar më shumë dhe cilin e bëni me më shumë kënaqësi?
- Çfarë fsheh e ardhmja juaj si poete/shkrimtare? A mund të na zbuloni diçka rreth botimeve që planifikoni të publikoni së shpejti?
- Për herë të parë në Shqipëri vjen një platformë si Libroteka, e dedikuar vetëm për librin digjital në gjuhën shqipe, cili ishte mendimi i parë që patët kur mësuar për të?
- Si ishte qasja juaj me Librotekën kur e përdorët për herë të parë? Çfarë ju pëlqeu më shumë nga kjo platformë?
- A do të kemi libra të tjerë digjital nga ju në të ardhmen?
- Doni të zbuloni librat digjital të autores Irma Kurti?
Njohje me shkrimtaren Irma Kurti
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Sot, Irma shënon mbi 70 çmime në karrierën e saj dhe përmes një interviste ekskluzive për Librotekën na zbulon më tepër rreth familjes, karrierës dhe botimeve të saj.
Një autore kaq e talentuar bëhet pjesë e Librotekës, çfarë ju shtyu të provoni tregun e librave digjitalë?
Libri sot po përjeton një krizë të thellë, të paprovuar më parë. Duket një mision i pamundur t’i bindësh njerëzit të shfletojnë një vepër me poezi e prozë, jo vetëm për arsye të kushteve të vështira sociale - ekonomike po edhe gjithëpërfshirjes së tyre në rrjetet sociale, të cilat ofrojnë një pafundësi krijimesh bajate e pa nivel.
Ideja e botimit dhe e tregtimit të librave në format digjital m’u duk qysh në fillim interesante, e palëvruar më parë, sidomos në realitetin tonë. Mund të kesh publikuar me shtëpi të mëdha botuese shqiptare, që ndoshta konsiderohen të tilla vetëm për arsye të shumave marramendëse që të kërkojnë dhe prapë libri mbetet fantazmë: nuk gjendet asnjë gjurmë e tij online apo nëpër librari dhe kjo është me të vërtetë dekurajuese.
Libri “Kujtimet e një mjeku” është publikimi juaj i parë tek Libroteka dhe bazohet mbi dorëshkrimet e jetës dhe karrierës si radiolog të babait tuaj të ndjerë. Mund të na zbuloni disa detaje të tjera rreth këtij libri, që mendoni se audienca jonë duhet t'i dijë?
Po, ishte libri i i parë që botova tek Libroteka, pasi është më i dashuri për mua. Ai mbështetet në shënimet e babait tim Hasan Kurti, në kujtimet e jetës dhe punës së tij si mjek radiolog. Një natë dimri të 2013-s, kur ai më dha ditarin me shënime nga jeta e tij, nuk e dija që me kalimin e viteve do ta shfletoja atë shumë herë. Në ato çaste e lashë në studio, me shpresën se një ditë do të më frymëzonte për të shkruar diçka. Një vit më vonë, kur im atë pësoi një iktus, që e pamundësoi prej asaj që na lidhte më tepër së bashku, fjala, unë u ndjeva e vetme, e zemëruar dhe e tradhëtuar nga jeta.
Atëherë, vëmendjen dhe mendimet i ktheva te ditari, i cili nuk përfaqësonte më fragmente të jetës së babait, por një thesar të paçmuar. Fillova të shkruaj kështu një roman, të cilin e përfundova brenda tetë muajve. Ai u botua më 2015 në shqip me titullin “Njeriu që fliste me pemët” dhe dy vjet më vonë në italisht si “In assenza di parole” (Në mungesë të fjalëve). Në prill të 2018 kur im atë iku përgjithmonë, gjeta të tjera shënime të tij dhe më lindi ideja për t’i mbledhur të gjitha, duke i botuar ashtu siç ishin, në vetën e parë.
Çfarë ndjesish keni përjetuar teksa ishit duke shkruar këtë libër, me epiqendër figurën e babait tuaj?
Kam provuar mall, emocion, nostalgji. Teksa i përpunoja dhe i shkruaja ato rreshta, e ndjeja babain më pranë se kurrë! Prania e tij më dukej aq reale, aq e afërt sa më bëhej sikur ia dëgjoja zërin. Shumë kujtime të fshehura në harresë dilnin nga skutat më të largëta dhe merrnin jetë. “Kujtimet e një mjeku” u shkruajt në një periudhë tepër të vështirë, kur ishim të izoluar nga pandemia dhe qyteti ku unë jetoj Bergamo (Itali) u shndërrua në epiqendrën e Koronavirusit. Duke u formëzuar në ato kushte, në atë realitet, ky libër u bë forca dhe sfida ime më e madhe, një objektiv që doja ta realizoja, një tregues i mbijetesës, i forcës që do të dominonte frikën që na kishte ngërthyer.
Raporti juaj me babain ka qenë i veçantë. A mund të na tregoni diçka më tepër lidhur me këtë?
Im atë më ka përkrahur në çdo hap të rrugëtimit të gjatë letrar. Ishte i vetmi që më dëgjonte, i vetmi me të cilin bisedoja për orë të tëra për shkrimet, librat, planet krijuese. Ai vetë trokiste me poezitë e mia në portat e redaksive të gazetave dhe të revistave për fëmijë. Ishte i apasionuar pas letërsisë, lexonte shumë dhe ruaj me nostalgji shënimet e tij me veprat e lexuara. Nuk më thoshte kurrë “të lumtë”, por më nxiste të punoja çdo ditë, të guxoja të trokisja e të hyja edhe në dyer të mbyllura.
Nëse babai juaj, Hasan Kurti, nuk do të kishte qënë mjek radiolog por shkrimtar, cili do të kishte qënë fokusi i librave të tij?
Me siguri familja, prindërit e tij, mungesa e boshllëku i pafund që ata i lanë me vdekjen e parakohshme, kur ai ishte vetëm katër vjeç. Gjithë jetën ai ëndërroi portretin e tyre; dëshironte aq shumë të kishte patur të paktën një fotografi të tyren. Nuk është çudi që më pas, kur krijoi vetë familje, im atë fiksoi qindra momente të bukura të jetës sonë në celuloid.
Ju keni fituar mbi 70 çmime për veprat tuaja dhe jo vetëm, cilën prej tyre do të veçonit si të preferuarën tuaj? Pse?
Do të veçoja “Midis dy brigjeve” libër autobiografik, i botuar në shqip në 2010 dhe në gjuhën italiane në 2011. Ai ngërthen jetën time të ndarë midis dy vëndeve, Shqipërisë dhe Italisë, grimca kujtimesh me nënën deri në çastin e fundit të ekzistencës së saj, raportin tim të ngushtë me të si nënë, shoqe, motër. Është i shtrenjtë jo vetëm se aty gjej veten, po edhe pse ishte i pari libër në prozë që më dha besimin dhe bindjen për t’iu dedikuar me pasion edhe këtij zhanri në të ardhmen.
Ju jeni poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe njëkohësisht edhe përkthyese! Cili prej këtyre profesioneve ju ka sfiduar më shumë dhe cilin e bëni me më shumë kënaqësi?
Poezia është bërë njësh me mua, ndoshta sepse më ka shoqëruar qysh kur isha 10-vjeç. Ajo shpesh më ndihmon ta shikoj dhe ta përjetoj jetën si brenda një ëndrre; mendimet e mia transformohen në vargje dhe vështrimi im mbi sendet që na rrethojnë, natyrën e marrëdhëniet njerëzore nuk është kurrë i sipërfaqshëm. Por të shkruaj tekste këngësh për mua është një drithërimë, një emocion pafund, pasi muzika ka qenë dhe mbetet pasioni im që më çon gjithnjë me mendje në skenat e festivaleve për fëmijë në Elbasan, ku kam kënduar dhe vlerësuar.
Çfarë fsheh e ardhmja juaj si poete/shkrimtare? A mund të na zbuloni diçka rreth botimeve që planifikoni të publikoni së shpejti?
Deri tani kam botuar dy libra me poezi në gjuhën shqipe dhe kam përkthyer tre libra nga autorë të ndryshëm. Mendoj se këtyre botimeve do t’i shtohen të tjera, gjithashtu edhe në gjuhën italiane. Dëshira dhe sfida ime mbetet që krijimet e mia t’i kapërcejnë kufijtë e Italisë dhe të lexohen nga sa më tepër lexues.
Për herë të parë në Shqipëri vjen një platformë si Libroteka, e dedikuar vetëm për librin digjital në gjuhën shqipe, cili ishte mendimi i parë që patët kur mësuar për të?
Ishte një risi dhe befasi e bukur. Mendoj se rruga e librit për tek lexuesi është e gjatë dhe Libroteka rreket në një farë mënyre t’i shkurtojë distancat midis autorëve dhe lexuesve.
Si ishte qasja juaj me Librotekën kur e përdorët për herë të parë? Çfarë ju pëlqeu më shumë nga kjo platformë?
Në çastin e parë m’u duk paksa e ndërlikuar, por në realitet është krejt e kundërta: platforma e Librotekës është e thjeshtë dhe praktike dhe si e tillë i jep mundësi gjithkujt që të bëhet pjesë e saj. Komunikimi brenda etikës profesionale e njerëzore me stafin drejtues të Librotekës, ndihma dhe përkrahja e tyre e vazhdueshme më mbush me shpresë dhe besim në vijueshmërinë dhe suksesin e saj.
A do të kemi libra të tjerë digjital nga ju në të ardhmen?
Lidhja ime me Librotekën do të jetë e përhershme. Ndoshta do të jetë e pamundur t’i publikoj të 25 librat e mi në gjuhën shqipe, por me siguri një pjesë të mirë të tyre, po, për të tentuar e krijuar një urë të re me lexuesin shqiptar, kudo që ai ndodhet. Ju falënderoj dhe ju përgëzoj për mundësinë që më dhatë. Jam e bindur se platforma e Librotekës do të shtohet me plot autorë të njohur dhe të rinj...
Doni të zbuloni librat digjital të autores Irma Kurti?
Tek Libroteka mund të bëni tuajat librat digjital të autores së talentuar Irma Kurti. Mjafton të kërkoni tek 'Të gjithë librat' ose të shkruani emrin e saj në fushën e kërkimit dhe do ju shfaqen të gjithë librat që autorja ka publikuar në platformë.