Te Shkruarit Akademik: Procesi dhe Produkti
1500 Lekë
Shto librin tek lista e librave të preferuar.
Kategoria | Shkencor |
---|---|
Formati | |
Shtëpia botuese | Fast Print |
Data e botimit | 1 Qershor 2020 |
Gjuha | Shqip |
Numri i faqeve | 302 |
ISBN | 978-9928-271-68-6 |
Pajisjet ku mund të lexohet libri
Përmbledhja
Libri “Të shkruarit Akademik- Procesi dhe Produkti” përbën një publikim të strukturuar në ndihmë të studentëve, kërkuesve dhe specialistëve të fushave të ndryshme që zbatojnë të shkruarit akademik në disiplina të ndryshme shkencore. Së pari, libri ju drejtohet studentëve që hartojnë tekste të ndryshme akademike, duke përfshirë edhe hartimin e tezave Bachelor, Master, dhe Doktoraturë. Libri përbën gjithashtu një kontribut në ndihmë të kërkuesve shkencorë të niveleve të ndryshme, të cilët do të gjejnë në përmbajtjen e tij mbështetje të fortë për të strukturuar tekstet e tyre akademike sipas standardeve më të përparuara akademike që zbatohen në departamentet e universiteteve apo në bordet editoriale që publikojnë revista dhe monografi shkencore. Libri trajton strukturën dhe përmbajtjen e të shkruarit akademik, të shkruarit akademik si art, shkencë dhe kraft, të shkruarit akademik dhe format e tjera të të shkruarit. Në tekst, trajtohen gjithashtu zbulimi i aftësisë së të shkruarit, zhanret e të shkruarit në universitet, faktorët që ndikojnë në të shkruarit akademik, të nxënit dhe perfeksionimi i të shkruarit akademik. Libri është i pasur me terminologjinë adekuate të të shkruarit akademik, me shembuj praktik të zbatimit të strukturave, modeleve, si edhe stileve akademike në fusha dhe disiplina të ndryshme të dijes. Në libër trajtohen me kompetencë të lartë shkencore zhvillimi i aftësive të të shkruarit akademik, si rolet autor- lexues dhe strukturat e të shkruarit akademik, aftësia njohëse e audiencës, struktura koherente dhe modeli i organizimit hierarkik; toni dhe stili i të shkruarit akademik, si toni racional, të shprehurit hezitues, frazat sinjalizuese, stili koheziv, si edhe gramatika. Autori, duke u bazuar në referenca autoritative, si edhe në eksperiencën e tij në këtë fushë trajton kategoritë e të shkruarit, si argumenti dhe diskutimi, shkaku dhe pasoja, krahasimi dhe kontrasti, problem- zgjidhja, përgjithësimi, induksioni dhe deduksioni, analiza dhe sinteza. Një vend të konsiderueshëm në tekst zë gjithashtu trajtimi i hapave pararendës të të shkruarit akademik, si burimet e literaturës online, mbledhja dhe organizimi i informacionit, shqyrtimi kritik i literaturës, standardet e komunikimit në një displinë specifike, si edhe përgatitja e vetvetes për udhëtimin si autor akademik. Lexuesit e këtij libri do të njihen gjithashtu me hartimin e teksteve akademike empirike, si edhe me hartimin e kapitujve (1) hyrje, (2) shqyrtim literature, (3) metodologjia, (4) rezultatet, (5) diskutimi, si edhe (6) përfundime dhe implikime. Lexuesit do të gjejnë të trajtuar mashtrimin akademik dhe plagjiaturën, përmasat e plagjiaturës dhe shmangjen e saj. Një vëllim mjaft të rëndësishëm në libër zë përgatitja e tekstit akademik të shkruar për publikim, duke trajtuar në mënyrë shterruese fazat e këtij procesi: (1) rishikimi i tekstit, (2) editimi i tekstit, (3) korrektimi i tekstit, si dhe (4) publikimi i tij. Në përgatitjen e tekstit për botim zënë një vend të rëndësishëm trajtimi i strukturave akademike të organizimit të tekstit, zhvillimi i paragrafëve, respektimi i stilit shkencor në të shkruarit akademik, zbatimi i rregullave gramatikore, citimet dhe referencat, identifikimi i revistave shkencore për të publikuar, interpretimi i guidës së autorit, reflektimi dhe përgjigja e komenteve të reçencës. Libri është një guidë e pasur metodologjike që mbështet studentët, specialistët dhe kërkuesit e fushave dhe disiplinave të ndryshme akademike në formimin e aftësive dhe kompetencave në hartimin e teksteve të strukturuara dhe të standardizuara akademike. Studentët dhe kërkuesit e rinj, por edhe kërkuesit e avancuar do të gjejnë në këtë botim strategji efektive në hartimin e artikujve me synim botimin në revista shkencore të indeksuara, në hartimin e artikujve për ti prezantuar në konferenca shkencore, të monografive, apo edhe të produkteve të tjera akademike.
Prof. Dr. Adriana GJONAJ
Shpërndaje në: