Pajisjet ku mund të lexohet libri
Përmbledhja
Lexuesi i këtij libri do të befasohet me përpjekjen serioze të autorëve për të trajtuar me kompetencë të lartë akademike dhe shkencore një nga komponentët shumë të rëndësishëm të edukimit në përgjithësi dhe të mësimdhënies dhe të nxënit në veçanti- vlerësimin e arritjeve akademike të nxënësve. Vlerësimi i arritjeve akademike të nxënësve si një dukuri shumëdimensionale ngërthen një sërë termash dhe konceptesh themelore, filozofi dhe metodologji edukimi, metoda dhe teknika aplikative, të cilat të trajtuara në tekst përbëjnë burime utilitare për studentët e degëve të mësuesisë për formimin e tyre fillestar, por sidomos janë shumë të rëndësishme për formimin e vazhdueshëm të mësuesve në institucionet e edukimit. Autorët, duke u bazuar në referenca autoritative, si edhe në eksperiencën e tyre në këtë fushë kanë përfshirë në librin e tyre 14 kapituj: Roli i vlerësimit në mësimdhënie dhe në të nxënë; Standardet dhe rezultatet konjitive të të nxënit; Vlerësimi i të nxënit i cilësisë së lartë; Vlerësimi formues; Vlerësimi formues me bazë përmbledhës; Vlerësimi përmbledhës pjesa e I- Planifikimi dhe zbatimi i testeve në klasë; Vlerësimi përmbledhës pjesa e II- Përdorimi i testeve në shkallë të gjerë me bazë standardet dhe testeve të standardizuara; Vlerësimi i bazuar në zgjedhje të përgjigjes- zgjedhje e shumfishtë, zgjedhje binare dhe lidhja e njësive të testeve; Vlerësimi me konstruktim të përgjigjes: Njësi të testeve me plotësim, me përgjigje të shkurtër, ese; Vlerësimi i performancës; Vlerësimi i portofolit të shkruar dhe dixhital; Vlerësimi i aftësive dhe dispozitave jo konjitive; Vlerësimi i nxënësve me nevoja të veçanta; Vlerësimi me notë dhe raportimi i performancës së nxënësve. Libri “Vlerësimi i Arritjeve Akademike të Nxënësve” përbën një publikim të strukturuar në ndihmë të studentëve që studjojnë për mësuesi të të gjitha fushave, mësuesve, edukatorëve dhe drejtuesve të shkollave. Gjithashtu, libri ju vjen në ndihmë studjuesve dhe hulumtuesve, pedagogëve të fakulteteve të mësuesisë, si edhe specialistëve të niveleve të ndryshme të institucioneve të edukimit, të cilët kanë në fokusin e tyre vlerësimin e mësimdhënies dhe të nxënit, vlerësimin e kurrikulës, apo vlerësimin e cilësisë së menaxhimit të shkollës. Libri bazohet në një numër të konsiderueshëm citimesh dhe referencash të autorëve të njohur të fushës së vlerësimit të arritjeve akademike të nxënësve, por jo vetëm. Nga ana tjetër, ajo që është shumë e rëndësishme për përdoruesit, libri është i pasur me shembuj të zbatimeve praktike të formave të ndryshme të vlerësimit të arritjeve akademike të nxënësve në praktikën e mësimdhënies dhe të nxënit. Libri trajton qasjet, metodat, teknikat dhe instrumentet më të përdorura në fushën e vlerësimit të arritjeve akademike të nxënësve që i vijnë në ndihmë çdo studenti apo mësuesi, specialisti apo kërkuesi. Në libër trajtohen integrimi i mësimdhënies dhe vlerësimit, kompoenentët dhe trendet e vlerësimit në klasë, qëllimet dhe rezultatet konjitive të të nxënit, vlerësimi i të nxënit të cilësisë së lartë, vlerësimi me bazë performancën, parimet e vlerësimit dhe përshtatja me standardet, vlerësimi formues dhe komentet argumentuese, vlerësimi formues me bazë përmbledhës, mjete dixhitale dhe vlerësimi përmbledhës, teste me bazë standardet dhe testet e standardizuara, testet me zgjedhje të shumëfishtë dhe zgjedhje binare, teste me konstruktim të përgjigjes, me plotësim, me përgjigje të shkurtër dhe ese, vlerësimi i portofolit të shkruar dhe dixhital, vlerësimi i aftësive dhe dispozitave jo konjitive, vlerësimi i nxënësve me nevoja të veçanta, nivelet e arritjeve, vlerësimi me notë dhe raportimi i progresit të nxënësve. Libri shërben si pjesë e kurrikulës së formimit të studentëve të mësuesisë të të gjitha profileve me njohuritë dhe kompetencat e duhura të vlerësimit të arritjeve akademike të nxënësve. Nga ana tjetër, libri shërben si pjesë e bibiliotekës së mësuesve dhe specialistëve të edukimit të të gjitha niveleve. Pedagogët dhe hulumtuesit, gjithashtu, do të gjejnë referenca shumë të dobishme për punën e tyre mësimdhënëse dhe kërkimore. Prof. Asoc. Dr. Sotir RRAPO
Shpërndaje në: