Atë Shtjefën Gjeçovi

Shtjefën Gjeçovi (Janjevë, 11 korrik[1] 1873 - Zym, 14 tetor 1929) qe frat françeskan, veprimtar i lëvizjes kombëtare, etnograf, arkeolog dhe shkrimtar shqiptar.

Kryevepra e tij, Kanuni i Lekë Dukagjinit, është përmbledhja më e përmendur e ligjit zakonor shqiptar. I kopsitur në 1263 nene, nisi të botohej së pari tek "Albania" e Konicës më 1897-1898[13] dhe më pas në organin e shtypit të françeskanëve që nga dalja e Hyllit më 1913 gjer më 1924. Gjatë lëvizjes së shpeshtë ndër famullitë e Veriut prej Kurbinit deri në Rrafshin e Dukagjinit, ai mblodhi normativën e rendit dokësor ndër shtresëzimet më të mbrame të këtij të fundit. Shenjat e këtij punimi dukeshin qysh më 1911 kur ndikoi fort në botimin e "Visaret e Kombit" të sivëllaut V. Prennushi. Pa llogaritur artikujt e shumtë “Përralla popullore”(1903),”Doke e zakone vdekjeje”(1907), “Mënyra e jetesës në Malci” (1908), ”Doke e zakonesh dasmash”(1910-1911), “Vaje “ në raste vdekjesh (1917-1920). Një pjesë e dorëshkrimeve humbën me vdekjen e tij.

Botimi i Kanunit u arrit më 1933, mbas vdekjes së mbledhësit, me një parathënie të P. Fishtës. Vendosja e titullit duket se shoshitet prej Fishtës kur shkruan se iu vendos prejse zbatohej dhe kishte formë gatiligjore dikur ndër Lekë (malësor, sipas kumtit parak, banorët e Malësisë së Madhe) dhe Dukagjin. U përkthye më vonë nga mikesha e shqiptarëve dhe e Eqrem bej Vlorës, baronesha Marie Amelie von Godin pjesë-pjesë, e me ndihmën e etënve françeskan. Punim i cili bëri të mundur që më 1936 Universiteti gjerman i Drezdenit i dha doktoratën postum P. Gjeçovit për vleftën e Kanunit. Në italisht u përkthye nga P. Pal Dodaj në bashkëpunim me Giuseppe Schirò dhe u botua nga Akademia e Arteve dhe Shkencave në Romë më 1941

Regjistrohu në newsletter

Njoftohu me email mbi librat e rinj, ofertat dhe shkrimet e fundit.