Impaktet surprizuese që e-Books kanë në mjedis

Ndryshimi i mendësisë së lexuesve kundrejt librave digjitalë

Ka një debat të vazhdueshëm mes njerëzve, që lidhet me leximin e librave të printuar kundrejt atyre digjitalë. Shumë thonë se librat e printuar nuk mund të zëvendësojnë asnjëherë ato digjitalë, për shkak se ndjesia që librat fizik të falin gjatë leximit, është e pakrahasueshme. Aroma e librit, tingulli që del nga kthimi i faqeve dhe mbajtja e librit në duar, janë ndjesi që në tërësi forcojnë edhe më shumë eksperiencën e leximit të një libri. Por, vitet e fundit shihet një rritje në trendin e leximit të librave digjitalë, dhe kjo jo pa arsye.

Një dorë që mban një e-Reader

Libër-dashësit, kanë kuptuar se leximi i librave digjitalë nuk ofron vetëm komoditet gjatë procesit, por ka disa impakte pozitive, mjaft të rëndësishme edhe për mjedisin. Duke lexuar libra digjitalë, çdokush jep kontributin e tij në ruajtjen e mjedisit dhe prerjes së pemëve. A e dinit se për të prodhuar 1 ton letra, priten 24 pemë? Kjo do të thotë se sa më shumë letra prodhohen, aq më shumë pemë priten, duke shkatërruar florën dhe faunën kudo në botë.

Çfarë ndodh nëse lexojmë më shumë e-Books?

Pavarësisht se leximi dhe përdorimi i librave të printuar nuk mund të ndalojë, shumë kanë ndjerë nevojën të ndërgjegjësojnë masën, duke promovuar leximin e librave digjitalë për të mbrojtur planetin. Falë revolucionit teknologjik, rreth 60% e popullsisë globale tashmë ka akses në internet, duke e bërë leximin e librave elektronikë apo e-books, shumë herë më të thjeshtë.

Më poshtë kemi listuar disa nga impaktet mjaft surprizuese të leximit të e-books, të cilat me siguri nuk i kishit menduar më parë!

Zvogëlohet sasia e prerjes së pemëve

Sigurisht, e para në listë është mbrojtja e pemëve nga prerja, që ndikon jo pak në mjedis dhe atmosferë. Prodhimi i librave, gazetave apo revistave kërkon që miliona pemë të priten në vit. Pemët i konsiderojmë burim i jetës, për shkak se ato prodhojnë oksigjen, ushqejnë dheun dhe shërbejnë si shtëpi për shumë kafshë të egra, gjallesa dhe mikroorganizma. Pemët gjithashtu përthithin dioksidin e karbonit, duke pastruar dhe mbajtur të pastër atmosferën. Prerja e vazhdueshme e pemëve çon në shkatërrimin e pyjeve dhe rrjedhimisht prishjen e ekosistemit, duke i hapur rrugë ngrohjes globale, pasojat e të cilës po i vuajmë edhe tani. Për të parandaluar përkeqësimin e klimës dhe të ekosistemit, miliona individë në të gjithë botën kanë gjetur zgjidhje tek leximi i librave digjitalë, si një nismë e madhe për të ulur sasinë e prerjes së pemëve.

Pakësohet emetimi i karbonit

Të gjithë ndikojnë në prodhimin e një sasie të caktuar të karbonit në mjedis, çdo ditë. Sidoqoftë, industritë e prodhimit të letrës, njihen si një nga kontribuesit kryesorë në gjurmën globale të karbonit në mjedis. Me kalimin e viteve, këto fabrika kanë sjellë një rrezik të pallogaritshëm për mjedisin. Nga sasia e madhe e letrës që konsumojnë çdo vit, tek pemët e përdorura për prodhimin e këtyre letrave, dhe çlirimin e ngarkesave të dioksidit të karbonit, oksideve të azotit, oksideve të squfurit dhe gazra të tjera të dëmshme që lëshohen në atmosferë çdo ditë.

Thënë kjo, leximi i librave elektronikë po merr çdo ditë e më shumë rëndësi. E-books nuk kanë konsum të lartë prodhimi dhe harxhojnë më pak energji seç kërkon prodhimi dhe shtypja e një libri. Gjithashtu, nuk lënë gjurmë karboni në atmosferë duke i bërë e-books, zgjedhjen ideale për një planet më të shëndetshëm.

Ulet niveli i ndotjes

Fabrikat e prodhimit të letrës ndikojnë në rritjen e nivelit të ndotjes në atmosferë, duke qënë se mbetjet dhe materialet inorganike lëshohen në ajër ndërsa mbetjet e djegies së druve bien në det. Si pasojë rritja e toksinave në atmosferë, ndikon ndjeshëm në helmimin e gjallesave si në tokë ashtu edhe në det. Një zgjidhje e mirë është përdorimi i librave digjitalë, për të minimizuar sadopak këto ndotje pasi janë produkte eko-miqësore.

Reduktohen mbetjet

Përdorimi i librave digjitalë, bën të mundur zvogëlimin e sasisë së mbeturinave në landfill-et tona. 26% e mbeturinave në të gjithë botën vijnë nga hedhjet e letrës dhe të kartonit. Edhe pse riciklimi i letrës mund të reduktojë përqindjen e këtyre mbetjeve në landfill-e, efekti negativ që ka në mjedis është shqetësues. Ky është një rast i mirë për të përfituar nga e-books, pasi leximi online redukton stoqet e pafundme të librave, që shumë shpesh transportohen në mbetjet e landfill-eve të mëdha.

Kursehen resurset natyrore

Librat elektronikë janë më të mirë për mjedisin sepse konsumojnë më pak burime natyrore në krahasim me librat e shtypur. Industritë e shtypjes së librit kërkojnë shumë ujë të ëmbël për prodhimin e librave. Në fakt, ata janë përgjegjës për konsumin e një pjese të madhe të ujërave të ëmbla. Krahas ujrave të ëmbla, shtypja e librave në fabrika kërkon shfrytëzim të lëndëve të tjera natyrore si gaz, squfur, sulfid hidrogjeni dhe dioksid squfuri. Nevoja për të kursyer këto resurse, po shtyn mijëra individë që t’i drejtohen librave digjitalë, për të mirën e planetit.

Reduktohet ngrohja globale

Nëse jeni aq të shqetësuar për ruajtjen e mjedisit sa jeni me qasjen në literaturë, nuk duhet të mendoni dy herë për të kaluar nga letra në një ekran digjital. Secila prej pikave të lartpërmendura, nisur nga përfitimet që marrim prej e-books, ndikon në reduktimin apo ngadalësimin e ngrohjes globale. Ndryshimet aktuale të klimës, janë më të shpejta se çdo ngjarje e njohur në historinë e Tokës duke e bërë ngrohjen globale një shqetësim primar. Qoftë edhe një vendim kaq i thjeshtë, sa leximi i e-books në vend të librave të printuar, është një kontribut i rëndësishëm drejt përmirësimit.

Përmbledhje

Në kohërat moderne, ajo çfarë po kthehet në një sfidë të vërtetë është fitimi i betejës për kujdesin ndaj mjedisit, reduktimit të ndotjes dhe uljes së ngrohjes globale. Industritë e ndryshme, duke përfshirë fabrikat e prodhimit të letrës, kanë jo pak ndikim në këto çështje.

Vitet e fundit, rëndësia e leximit të librave elektronikë në kuadër të mbrojtjes së pemëve dhe atmosferës, po kthehet në një nismë individuale për shumë njerëz. Duke lexuar e-books, ju jo vetëm jepni kontributin tuaj në mbrojtjen e planetit, por i ofroni vetes komoditetin për të lexuar kudo dhe kurdo, duke patur bibliotekën tuaj elektronike me vete e cila nuk humbet kurrë, por qëndron gjithmonë në hapësirën tuaj virtuale.

Regjistrohu në newsletter

Njoftohu me email mbi librat e rinj, ofertat dhe shkrimet e fundit.