Ardian-Christian Kyçyku
Shto autorin/en tek lista e autorëve të preferuar.
Ardian-Christian Kyçyku (pseudonimi artistik i Ardian Kyçykut) shkrimtar i gjuhëve shqip e rumanisht, doktor në filologji dhe profesor universiteti lindur në Pogradec më 23 gusht 1969. Kreu studimet e larta në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Autor i mbi 50 librave origjinalë në shqip e rumanisht (romane, prozë e shkurtër, teatër, skenarë, studime shkencore, ese) dhe i disa filmave me metrazh të shkurtër. Bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i Revistës Haemus. Mes viteve 2008 dhe 2020 ka qenë dekan dhe rektor. Qysh nga viti 2002, ka dhënë mësim në disa universitete rumune e të huaja lëndët Kulturë dhe qytetërim ballkanik, Historia e teatrit botëror, Imagologji, Semiotika dhe stilistika e teatrit, Letërsi shqiptare moderne, Semiotikë dhe Komunikim, Teknika hartimi të punimeve shkencore etj. Ka qenë shpesh i ftuar në panaire ndërkombëtare të librit si përfaqësues i letërsisë shqiptare, i asaj rumune dhe i letërsisë së mërgimit. Laureat i disa çmimeve të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare.