Nuhi Sylejmani
Shto autorin/en tek lista e autorëve të preferuar.
Nuhi Sylejmani është lindur më 10 maj 1943, në fshatin Stanec, Lagjja Lesbaliu. Shkollën tetëvjeçare kreu në Caravajkë. Që nga 22 maji 1969 është punëtor në Gjermani.
Kujtimet dhe dokumentet përcjellëse brenda librit sjellin fakte historike të pakundërshtueshme dhe të panjohura gjer më tani. Në mënyrën më të përpiktë paraqitet gjendja dhe zhvillimi i tri organizatave shqiptare të asaj kohe, që vepronin kryesisht në botën e jashtme, si Fronti i Kuq Popullor, GMLK/OMLK dhe LNÇK/LNÇKVSHJ, si dhe proceset organizative dhe ideologjike nëpër të cilat kalojnë këto organizata para dhe pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.
Njëri ndër veprimtarët më të devotshëm të rrethit Böblingen-Sindelfingen, pa dyshim se është Nuhi Sylejmani, themeluesi i celulës “Vullneti”, që ju dha mbështetje kryesore besnikërie, organizative dhe materiale Jusuf e Bardhosh Gërvallës, e deri diku edhe Kadri Zekës. Për këto tundje të kohës, që lanë vragë të pashlyeshme në kujtesën e tij, do të flasë vetë z. Sylejmani, përmes librit të tij me kujtime e fakte, me titull: “Vrasja e trefishtë”.
Autori, ndër të tjera, në mënyrën më besnike përshkruan peripecitë dhe ballafaqimet me sfida të shumta të familjeve Gërvalla dhe Zeka, pas atentatit të 17 janarit të vitit 1982. Përveç përçarjeve të brendshme, autori i përshkruan hollësisht presionet e hetuesisë gjermane që i bëhen familjarëve dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë të vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës.
Në mënyrë të paanshme, në pjesë të caktuara të librit, trajtohen pengesat organizative, ballafaqimet, fërkimet, thyerjet dhe përçarjet brenda lëvizjes shqiptare në botën e jashtme, çka nuk është e panjohur për asnjë lëvizje kombëtare dhe çlirimtare, duke pasur parasysh rrethanat dhe kontekstin historik si dhe raportin e forcave në të cilat veprojnë lëvizjet çlirimtare.
Si anëtar i Komitetit Drejtues të LRSSHJ-së, autori përjeton manipulim dhe arrogancë, pengohet në ushtrimin e detyrës së tij, izolohet e sulmohet paskrupull me shpifje dhe intriga, por nuk thyhet. Si njeri i përpiktë dhe i strukturuar në punë e jetë, i vendosur, i palodhshëm dhe besnik, gjatë gjithë librit nuk i shmanget parimit të së vërtetës objektive, pa revidime, qoftë në raport me vetveten, qoftë me të tjerët. Brenda librit përmendën edhe emra atdhetarësh dhe veprimtarë tjerë aktiv të lëvizjes në botën e jashtme, që kanë kontribuar personalisht dhe materialisht në dobi të çështjes kombëtare.