Vrasja e trefishtë
400 Lekë
Shto librin tek lista e librave të preferuar.
Kategoria | Histori |
---|---|
Formati | |
Shtëpia botuese | prointegra |
Data e botimit | 10 Tetor 2022 |
Gjuha | Shqip |
Numri i faqeve | 173 |
ISBN | 9783952562222 |
Pajisjet ku mund të lexohet libri
Përmbledhja
Lufta për liri e bashkim kombëtar, zanafillën e vet e ka që nga pushtimi serb i viseve shqiptare.
Punëtorët shqiptarë, që për shkaqe sociale ishin të shtrënguar të mërgonin në vende të ndryshme të Evropës, në Amerikë e Australi, gjenin forma të ndryshme për t’u organizuar që sado pak t’i dilnin në mbrojte atdheut të nëpërkëmbur nga fqinjët armiqësor. Në mesin e shumë organizatave të tilla që vepronin të shkapërderdhura gjithandej Evropës ishte edhe celula “Vullneti”, e panjohur për kohën, por që luajti një rol shumë të rëndësishëm në vitet pasuese, veçmas pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Kjo celulë, e themeluar nga Nuhi Sylejmani, numëronte nëntë anëtarë. Qëllimi fillestar i saj ishte propagandimi i çështjes së pazgjidhur të shqiptarëve në Jugosllavi, mbledhja e ndihmave dhe shpërndarja e materialeve propagandistike në mesin e mërgimtarëve.
Takimi me Jusuf Gërvallën sikur ndryshoi rrjedhën, jo vetëm të Nuhi Sylejmanit, por të mbarë celulës “Vullneti”.
Virtytet e një burri të papërkulshëm, siç ishte Nuhi Sylejmani, u hetuan me kohë nga Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi, prandaj nuk ishte e rastit që vendimet më kapitale që u morën në atë kohë të jenë në bashkëpunim të barabartë me të, duke ia besuar edhe atij pjesën e përpjekjeve për luftë të përbashkët. Puna e tij e palodhur, dora e tij e lirë, bashkëpunimi i shkëlqyer i celulës “Vullneti” për mbledhjen e ndihmave, propagandimin e çështjes shqiptare dhe në fund tubimin e mjeteve për blerjen e makinës së shkrimit sipas kërkesës dhe nevojës së Jusufit, bënë që Nuhi Sylejmani të jetë njëri nga besnikët më të mëdhenj që kishte pranë vetës Jusuf Gërvalla.
Këtë besnikëri të këtij burri fisnik e vërteton më së miri amaneti i fundit i Jusuf Gërvallës, në natën e kobshme të 17 janarit të vitit 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, kur agjentët e shërbimit sekret jugosllav zbrazën dhjetëra plumba kundër lules më të bukur që kishte pasur ndonjëherë populli shqiptar, pra kundër Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës. Kjo përzgjedhje e Jusuf Gërvallës në çastet e fundit të jetës së tij, nuk ishte ndonjë vendim çasti, apo ndonjë rastësi, por ishte një bindje e krijuar që nga maji i vitit 1980, dhe e përforcuar deri në çastet e fundit të jetës së tij. Sesa kishte pasur të drejtë Jusuf Gërvalla që bëri një përzgjedhje të tillë, flet vetë Nuhi Sylejmani, autori i këtij libri, duke shpalosë kujtimet e tij të veneruara nga një këndvështrim tjetër, të përjetuara nga një inferioritet vandal, por gjithsesi të mbështetura me fakte e dokumente autentike të kohës.
Autori, ndër të tjera, në mënyrën më besnike përshkruan peripecitë dhe ballafaqimet me sfida të shumta të familjeve Gërvalla dhe Zeka, pas atentatit të 17 janarit të vitit 1982. Përveç përçarjeve të brendshme, autori i përshkruan hollësisht presionet e hetuesisë gjermane që i bëhen familjarëve dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë të vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës.
Pra, ky libër kujtimesh, i realizuar nga një pamje tjetër, i mbështetur me dokumente e fakte të kohës, vjen në një kohë kur rreth vrasjes tragjike të 17 janarit të vitit 1982 në Untergruppenbach të Gjermanisë, janë shkruar me dhjetëra libra, një pjesë e të cilave në mënyrën më tendencioze e lëndojnë realitetin historik dhe e shtrembërojnë të vërtetën. Prandaj, ky libër le të mbetet një pamje reale e atyre ngjarjeve të dhembshme të 17 janarit ’82, dhe së dyti, dokumentet dhe faktet autentike që paraqiten në të të jenë si objekt studimi nga historianët e mirëfilltë!
Shpërndaje në: