Osman Osmani
Shto autorin/en tek lista e autorëve të preferuar.
Osman (Zenel) Osmani ka lindur në Prishtinë, ku dhe ka ndjekur shkollimin fillor, të mesëm (Akademinë Pedagogjike), si dhe studimet në Fakultetin Juridik. Në verën e vitit 1975, bashkë me Rexhep Maqedoncin e Abdullah Prapashticën, angazhohet në një grup atdhetar me shkurtesën ORA (e emëruar edhe si “Organizata Revolucionare Arbëreshe”), prijëse e Organizatës për Republikën Shqiptare në Jugosllavi - PKMLSHJ, të cilën e formuan në verën e vitit 1978 në Prishtinë, bashkë me veprimtarë të tjerë. Platforma e saj për Republikë u përkrah zëshëm dhe botërisht nga populli në pranverën e vitit 1981.
Autori, pas arratisjes nga vendi, në nëntor 1981, si anëtar i Komisionit për Bashkim, në kuadër të organizatës PKMLSHJ, merr pjesë në bisedimet për bashkimin e organizatave të tjera atdhetare të kohës. Ai është bashkëthemelues i Lëvizjes për Republikën Shqiptare (LRSSHJ) më 17 shkurt 1982 në Ankara të Turqisë dhe, më pas, edhe më 15 maj 1982 në Biel-Bienne të Zvicrës.
Nga nëntori 1983 jeton në Zvicër, ku krahas punës së pandërprerë profesionale, arsimimit të lartë dhe veprimtarisë në kuadër të Lëvizjes Atdhetare, është angazhuar në dobi të komunitetit shqiptar gjithandej, si dhe në jetën shoqërore e politike të Zvicrës.
Në Zvicër fillimisht është arsimuar në fushën psiko-sociale, duke marrë titullin e trajnuesit për Debriefing-un psikologjik e, më pas, ka studiuar për animator socio-kulturor në Cyrih, ku ka marrë titullin e “Punonjësit të diplomuar social”. Ka kryer edhe studimet pasuniversitare për udhëheqje personali dhe aftësim praktikantësh.
Falë angazhimit të tij për vite të tëra, ka ushtruar edhe mandate të ndryshme politike. Njihet si shqiptari i parë që
është zgjedhur në një Parlament Kantonal të Zvicrës (2005) dhe si nismëtar e drejtues i projektit partiak për krijimin e strukturës për pjesëmarrje politike të emgrantëve në kuadër të forcës së dytë politike në vend, Partisë Socialdemokrate të Zvicrës. Ai është zgjedhur në organet më të larta të kësaj force politike dhe ka vepruar e përfaqësuar interesat e socialdemokratëve me sfond migracioni, derisa doli në pension.
Është angazhuar për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet mes popujve e institucioneve të Zvicrës e vendeve tona amë (kryesisht Kosovë e Shqipëri) dhe përfshirjen e diasporës në politikat ndërshtetërore, si dhe në institucionalizimin e bashkëpunimin me partitë e subjekteve simotra të Zvicrës me ato në Kosovë e Shqipëri.
Dhjetë vitet e fundit të karrierës së tij profesionale ka punuar si sekretar Politik për Migracionin në sindikatën më të madhe të Zvicrës, UNIA, ku ndër të tjera ka qenë përgjegjës edhe për dosjen e Marrëveshjes Ndërshtetërore për Sigurimet Shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës, rifuqizimi i së cilës është histori suksesi, kryesisht falë angazhimit të tij.