FATKEQËSIA E TË QENURIT E BUKUR
200 Lekë
Shto librin tek lista e librave të preferuar.
Kategoria | Novelë |
---|---|
Formati | |
Gjuha | Shqip |
Numri i faqeve | 70 |
Pajisjet ku mund të lexohet libri
Përmbledhja
Një ngjarje kriminale ndodh në një lagje të qetë të qytetit. Një grua sulmohet me acid, ndërsa autori nuk është diktuar dhe nuk është kapur ende. Hetimet vazhdojnë jashtë syve të publikut, ndërsa një gazetar vihet të kërkojë të vërtetën rreth ngjarjes, duke ndjekur pista të ndryshme. "Fatkeqësia e të qenurit e bukur" është një novelë ku bukuria dhe sharmi ndeshin keqkuptimin dhe banalitetin, ku e dukshmja është vetëm fasada që mbulon të vërtetën, ndërsa ngjarjet kriminale janë veçse shpërthimi i një bote njerëzore të fshehtë, të turbullt dhe plot sekrete.
Incipit (fillimi i novelës)
Nga xhamat e mëdhenj hynte brenda drita e kursyer e dimrit. Në lokal kishte pak njerëz, të shpërndarë në tavolina të ndryshme, megjithatë dy klientët e ulur në njërin kënd, poshtë një tabloje ku shfaqej bregdeti i rrahur nga dallgët, po bisedonin me zë të ulët.
- Kisha kohë pa parë diçka të tillë, - po thoshte hetuesi, një djalë truplidhur, me flokët pak të rënë përpara dhe një vështrim energjik. – Zakonisht krime të tilla ndodhin në vende të largëta nga ne, diku në Afganistan apo Bangladesh.
- A ka ndonjë shpresë që ajo të kthehet si më parë? – pyeti gazetari i ulur pranë tij, një djalë i hollë me flokët e krehura kujdesshëm në një anë. Ai vërejti sesi hetuesi u mendua një çast përpara se të përgjigjej.
- Do të merret televizioni juaj me këtë çështje? – tha pa e vështruar dhe ngriti filxhanin e kafesë.
- Nuk besoj se do të zërë ndonjë hapësirë të madhe ky lajm, - u përgjigj gazetari. – Ndodhin aq shumë ngjarje çdo ditë, sa të duket e pabesueshme që jetojmë në një qytet normal.
Hetuesi qeshi me sinqeritet dhe ndezi një cigare.
- Ke të drejtë, - tha. – Kjo e jona është një punë e ndyrë, se të detyron të shikosh vetëm anët e këqija të realitetit. Ndoshta kjo është ana më e vërtetë, por jo më e bukura.
Gazetari po e vështronte në pritje. Hetuesi thithi cigaren dhe e lëshoi tymin me forcë, si një psherëtimë të cilën ende nuk e kishte harxhuar, megjithëse kishte parë aq gjëra të tmerrshme gjatë punës së tij.
- Ka fare pak shpresë që ajo të kthehet si më parë, - u përgjigj më në fund dhe për habinë e tjetrit zëri i tij ishte i ulët dhe i ngadaltë, i mbështjellë nga një trazim i pazbuluar. – Mëkat! Pashë fotografitë e saj të mëparshme, kishte qenë një femër e bukur.
- Po, - tha gazetari dhe uli sytë mbi tavolinë. – E bukur. Mesa duket kjo është fatkeqësi për disa gra.
Hetuesi e vështroi me vëmendje.
- Mendon se ky është shkaku i sulmit ndaj saj? – e pyeti, ndërsa fytyra e tij u fsheh sërish pas tymit të cigares.
- Si të them, - tha me pasiguri gazetari. – Kjo mund të jetë njëra nga arsyet. Ç’mund ta motivojë tjetër një njeri, që të sulmojë një femër duke i hedhur acid në fytyrë? Ky lloj krimi e ka brenda këtë mesazh, që është kundër bukurisë, apo ndëshkim ndaj saj.
Hetuesi vazhdonte ta shihte me vëmendje, por tjetri nuk shtoi asgjë.
- Në vendet ku ndodhin zakonisht këto krime, gruaja shihet si një pronë e burrit, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kur gruaja e harron këtë gjë, fjala vjen duke tradhtuar apo duke u larguar, burri ia kujton në këtë mënyrë të tmerrshme, - tha hetuesi me një zë të njëtrajtshëm, të zhveshur nga emocioni.
- Domethënë burri i saj është i dyshuari juaj? – pyeti menjëherë gazetari, duke i ngulur sytë e kaltër në fytyrën e palëvizshme të hetuesit.
- Njëri nga të dyshuarit, - saktësoi ai pas disa çastesh. – Besoj se edhe ti e ke menduar këtë mundësi, apo jo?
Në fytyrën e gazetarit u përvijua një nënqeshje.
- Në vend që të zhbirroj unë ty, po më zhbirron ti mua, - tha ai. – Po e kthen bisedën në favorin tënd.
- Ç’t’i bësh! – pranoi hetuesi. – Mos u mërzit, defekt i profesionit. – Ai heshti disa çaste, duke këqyrur me vëmendje fytyrën e tjetrit, pastaj shtoi: - Ti e di që s’mund të të them asgjë. Çështja është në hetim.
Për pak kohë nuk folën, duke hedhur vështrimin jashtë xhamave, ku dalloheshin njerëzit që ecnin në trotuar dhe rruga e qetë e pasdites, me pak lëvizje makinash.
- Ti ke shkuar në spital? – pyeti gazetari. – Në ç’gjendje është ajo?
Hetuesi nuk u habit nga këmbëngulja e tjetrit për të mos iu larguar kësaj teme.
- Rrezikon të humbasë shikimin e njërit sy, - tha ai dhe tymosi sërish cigaren. Vuri re sesi gazetari u turbullua nga ky lajm dhe shtoi: - Besoj se nuk i ke parë kurrë pasojat e një sulmi me acid. Është diçka e tmerrshme. Acidi e gërryen shumë shpejt lëkurën, duke arritur deri te kocka, madje duke arritur ta gërryejë edhe atë. Dëmet tek njeriu janë të përjetshme, fizike dhe psikologjike. Edhe nëse viktima mund t’i nënshtrohet një sërë operacionesh, shumë pak mund të riparohet.
- Personi që e ka sulmuar duhet ta ketë urryer vërtet, - tha gazetari, - përderisa ka zgjedhur një mënyrë të tillë të tmerrshme.
- Po, është e vërtetë, - vazhdoi hetuesi. – Pasojat e këtij sulmi e shkatërrojnë vetëbesimin e njeriut, aq sa mund të humbë aftësinë për të punuar apo thjesht për të dalë nga shtëpia. Rastet e divorceve pas këtyre ngjarjeve janë shumë të larta.
Gazetari po e vështronte me habi, pa ditur sesi ta shprehte indinjatën, ndaj hetuesi shtoi:
- Sulmi me acid mund të shkatërrojë qepallat dhe buzët, të dëmtojë rëndë hundën dhe veshët. Mund të zhdukë krejt flokët dhe të dëmtojë kockat e kafkës. – Ai e vështroi në mënyrë kuptimplotë dhe nuk tha asgjë tjetër, ndërsa gazetari ngeli i hutuar, pa gjetur dot një përgjigje.
Në lokal u dëgjua zhurma e mprehtë e ekspresit, pastaj kamarieri shpuri kafenë në njërën nga tavolinat. Nga bokset e vendosura sipër në mur vinte një muzikë e këndshme, me volum të ulët.
- Të paska tronditur kjo ngjarje, - tha hetuesi, kur pa se tjetri nuk po fliste.
Gazetari pohoi me kokë.
- E njoh gruan që është sulmuar, - tha ngadalë. – Nuk ka shumë kohë që është shpërngulur në lagjen time.
- Po, e di. – Zëri i hetuesit ishte përsëri i njëtrajtshëm dhe pa emocion. – Në të tilla raste është e natyrshme të të ngelet mendja tek viktima. Ndryshe ndodh kur nuk e njeh. E sheh gjithçka me gjak më të ftohtë.
- Seç kisha një parandjenjë, - vazhdoi gazetari, - që në ditët e para kur e kam ndeshur në rrugicë, se asaj i qëndronte mbi kokë një fatkeqësi.
Hetuesi vuri buzën në gaz. Kur qeshte, ai dukej disa vjet më i ri, më miqësor dhe më i afërt.
- E ka fajin letërsia, - tha me shaka. – Kështu është kur ke lexuar romane gjithë këto vite.
- Jo, nuk është kjo, - nisi të shpjegohej gazetari. – Është diçka tjetër.
- Bëra shaka, - tha hetuesi. – Ti e di që unë e adhuroj letërsinë.
- Seç janë disa njerëz, - vazhdoi pas një çasti gazetari, - që të lënë një përshtypje të menjëhershme sapo i njeh. Një grua që e sheh për herë të parë në rrugë, në lagjen tënde, të kalon pranë, të buzëqesh ëmbëlsisht dhe të përshëndet. Është diçka e papritur dhe e këndshme. Një femër e bukur që tregon interes për ty dhe të jep për disa çaste vëmendjen e saj. Të krijon një ndjesi të ngrohtë, përkëdhelëse, që të shoqëron gjatë ditës gri që ke përpara. Diku në zyrë gjatë një pauze, apo duke pirë kafe i përhumbur, befas kujtohesh për atë fytyrë të bukur, të panjohur, që të ka buzëqeshur atë mëngjes. – Gazetari vështroi nga hetuesi, i cili po e ndiqte me vëmendje. – Të pëlqen ndjesia që të jep edhe thjesht kur e kujton, ndaj ke dëshirë që të përballesh pësëri, që kënaqësia të përsëritet sërish. Është vërtet e mrekullueshme, kur ngjarja e këndshme ndodh edhe një herë, tamam ashtu siç e kishe menduar. Gruaja e bukur të ngul vështrimin e butë të syve të zinj, të buzëqesh ëmbël dhe të përshëndet.
Gazetari ndaloi për pak, ndërsa hetuesi nuk ndenji dot pa pyetur:
- Ku e pe shenjën e fatkeqësisë?
Gazetari u mendua për disa çaste, me sytë ngulur mbi sipërfaqen e lëmuar të tavolinës.
- E pashë në njërën prej atyre ditëve, - tha me zë të ulët. – Pikërisht në ditën kur gruaja e bukur nuk ma dha kënaqësinë e vështrimit të ëmbël dhe të buzëqeshjes së saj. Në fytyrë i kishte rënë një hije e rëndë trishtimi, që nuk ia pakësonte bukurinë, vetëm se e bënte të largët dhe të pakapshme. Të bënte të ndiheshe i huaj dhe i shpërfillur, si të gjithë të tjerët që i kalonin pranë dhe nuk merrnin asnjë vëmendje prej saj. Ata s’mund të prekeshin nga kjo gjë, fundja nuk kishin asnjë arsye, por ti që e kishe provuar njëherë ngrohtësinë e buzëqeshjes dhe ëmbëlsinë e syve, nuk kishe si të mos ndiheshe i harruar dhe i parëndësishëm, njëlloj me të gjithë të panjohurit e tjerë. Madje akoma më keq, kuptoje se nuk kishe asnjë të drejtë që të pretendoje diçka prej saj. – Gazetari heshti pas këtyre fjalëve, ndërsa hetuesi lëvizi në karrige.
- Mendon se kjo mund të ketë qenë fatkeqësia e saj? – tha pas pak. – Aftësia për t’i lënduar të tjerët pa dashur?
Gazetari pohoi duke tundur lehtë kokën.
- Kjo mund të jetë pikënisja e diçkaje, - tha hetuesi me zë të ulët, por të sigurtë. – Veçse nuk mund të jetë shkaku kryesor i krimit. Nevojitet një emocion më i thellë, sesa thjesht lëndimi apo fyerja nga mospërfillja e papritur, që të vihet në lëvizje mekanizmi i një krimi të tillë. – Ai ndenji pak i menduar, pastaj shtoi: - Sidoqoftë vëzhgimi yt nuk është i pavend. Ai e zgjeron rrethin e të dyshuarve, gjë që në fakt ne e kemi marrë parasysh.
- Atëherë ju keni më shumë se një të dyshuar, domethënë përveç të shoqit? – tha menjëherë gazetari.
Hetuesi tymosi fundin e cigares që mbante në dorë, e shtypi bishtin fort mbi tavëll dhe tha pas pak me zë të shkujdesur:
- Sigurisht.
Shpërndaje në: