Pushimet e Annës
500 Lekë
Shto librin tek lista e librave të preferuar.
Kategoria | Novelë |
---|---|
Formati | |
Gjuha | Shqip |
Numri i faqeve | 70 |
Pajisjet ku mund të lexohet libri
Përmbledhja
“Pushimet e Annës” është rrëfimi i një vere të pazakontë që Anna, një vajzë italiane, kalon bashkë me të ëmën në bregdetin shqiptar. Armiqësia e heshtur e dy grave, mungesa e besimit, kërkimi i dashurisë dhe shmangia prej saj, në një qytet të huaj, është filli që përshkon këtë novelë.
Incipit (fillimi) i novelës:
Një grua e mbajtur mirë dhe një vajzë e re, me siguri e bija, qëndrojnë në parmakët e tragetit duke vështruar qytetin që po afrohet. Qëndrojnë pa folur, me flokët që ua merr era e detit, ndërsa përqark tyre njerëz të tjerë bisedojnë në gjuhë të huaj. Janë emigrantë, të lodhur nga udhëtimi i gjatë me tren apo autobus, dhe nga gjashtë orët që duhen për të kaluar Adriatikun me traget, veçse tani që po shohin sërish vendin e tyre janë gjallëruar dhe i thërrasin njëri—tjetrit, bëjnë kujdes të mos harrojnë çantat e dorës dhe lëvizin për të çmpirë gjymtyrët. Gruaja dhe vajza e re duket se janë mësuar me praninë e tyre, sepse të gjithë vëmendjen e kanë drejtuar nga qyteti që e shohin për herë të parë. Dallohen ndërtesat e larta, majat e të cilave humbasin, të fshehura pas njëra—tjetrës, rruga bregdetare që gjallon nga makinat dhe faqja gjigande e një mali, që vështron detin nga sipër.
Gruaja dhe vajza shtrëngojnë gishtat pas parmakëve të tragetit, që po i afrohet portit të vogël. Disa policë po presin mbi mol, më tej shihen zyrat e doganës. Pas disa manovrave trageti më në fund ndalon dhe njerëzit nisin të zbresin në tokë me atë marramendjen e lehtë të dehjes që shkakton deti. Gruaja dhe vajza e re janë larguar prej parmakëve të tragetit. Ato kanë zbritur në garazh të marrin makinën dhe pak më vonë duken mbi mol, duke ecur ngadalë mbi një Fiat Punto, në rradhë midis makinave të tjera. Vajza e re vështron me kuriozitet jashtë dritares, në drejtim të zyrave të doganës, me siguri duke kërkuar të gjejë midis njerëzve që lëvizin aty njeriun që ka dalë për t’i pritur. Ajo nuk e njeh, as gruaja në timon, dinë vetëm që është i afërm i mikut që u ka lëshuar shtëpinë për pushime këtë verë.
Rreshti i makinave kalon molin dhe zyrat e doganës, duke dalë në një shesh më të gjerë. Njerëz të ndryshëm kanë dalë aty për të pritur të ardhurit nga jashtë. Vajza e re i vështron sesi përshëndeten me njëri—tjetrin, duke u përqafuar dhe puthur në faqe, ndërsa gruaja përkrah saj shtrëngon timonin, sheh rrotull me njëfarë padurimi, duke kërkuar njeriun që duhet t’i presë. Ai afrohet pas pak minutash, duke kërkuar ndjesë për vonesën, pasi në verë trafiku në qytet shumëfishohet. Është një djalë i gjatë, me flokë të qethura shkurt dhe i sigurtë në vetvete. Gruaja dhe vajza e re e vështrojnë me kureshtje, ndërsa ai u thotë ta ndjekin pas. Largohet, hipën në një Benz të parkuar pak më tej dhe lëviz në drejtim të daljes së portit.
Trafiku duket vërtet i rënduar. Të gjitha makinat vijnë nga brendësia e qytetit dhe marrin rrugën që të çon në bregdet, atë rrugë ku po lëvizin gruaja dhe vajza e re. Gruaja në timon është e lodhur, aq sa nuk e merr mundimin të ankohet për atë ecje të ngadaltë midis vapës, ndërsa vajza e re vështron nga xhami i hapur plazhin me rërë, çadrat e pushuesve të shumtë dhe detin. I ngjan një liqeni të madh, me dallgë që thuajse nuk duken, i zënë në grackë brenda gjirit të qytetit, i rrethuar nga një gadishull i lartë që ia pret rrugën, dhe një ishull pak më tej që përgjon çdo lëvizje. Rruga e mbushur me makina vazhdon përgjatë vijës së bregdetit, ndërsa diku, pranë një sheshi të vogël ku kanë ndalur dy autobusë urbanë, një rrugë tjetër ngjitet majtas në të përpjetën rrëzë malit. Benzi që u prin përpara merr atë drejtim dhe gruaja kthen timonin, ndërron marrshin e makinës dhe i jep gaz, e çliruar që ka dalë nga trafiku.
Nuk ecin shumë. Sapo kalon të përpjetën rruga vazhdon drejt, për të zbritur sërish në rrugën kryesore që vazhdon bregut të detit. Aty sipër Benzi ndalon, duke parkuar rrëzë murit të një prej shumë shtëpive të ndërtuara në atë vend, që dikur ka qenë plantacion portokallesh. Shtëpitë janë një, dy ose tre katëshe, të banuara nga të zotët e tyre ose të përshtatura për turistë. Është muaji gusht dhe ata e kanë pushtuar të gjithë qytetin. Gruaja parkon makinën pas Benzit dhe bashkë me vajzën i afrohen djalit të ri, që po i pret pranë derës së shtëpisë. Ato hedhin sytë rrotull, nëpër qetësinë e ndërtesave, pastaj poshtë drejt detit, që prej aty lart duket edhe më i palëvizshëm, i ngjashëm me imazhin e një kartoline. Djali që e hap derën me çelës i ndihmon shkathtësisht me bagazhet, pa ia kërkuar ato këtë, pastaj i shpie brenda.
Është një shtëpi dykatëshe me dritare të mbyllura, me një kopësht të vogël me portokalle dhe një mur që e ndan nga ndërtesa fqinje. Ato do të banojnë në katin e parë gjatë atyre pesëmbëdhjetë ditëve të pushimeve. Djali lëshon në sallon valixhet që mban në duar, i zgjat çelësat gruas, pastaj nxjerr nga xhepi një copë letër, ku është shkruar numri i tij. Për çdo rast mund t’i telefonojnë. Gruaja e falenderon, e pasigurtë nëse duhet t’i paguajë diçka, duke u druar se mund ta fyejë këtë djalë të ri, që duket se nuk ka nevojë për bakshishin e tyre. Ai i përshëndet të dyja, gruan me njëfarë serioziteti, ndërsa vajzën e re me një gjysmë buzëqeshje, pastaj del në oborr, e më pas në rrugë. Dëgjohet makina që ndez motorrin dhe largohet, ndërsa përreth bie sërish qetësia.
Vajza e re shkon të shikojë dhomat, për të parë se ku mund të sistemohet më mirë, ndërsa gruaja afrohet që t’i hedhë një sy kuzhinës. Duket se asgjë nuk mungon, edhe frigoriferi është në rregull, ndërsa vajza që vjen pas pak i thotë se ka zgjedhur të rrijë në dhomën e krahut të djathtë, andej nga duket deti. Të dyja ndihen të lodhura nga udhëtimi, ulen në divanin e sallonit dhe përpiqen të vendosin një farë afrimiteti me shtëpinë e huaj. Perdet duhen hapur, po ashtu edhe dritaret, pastaj duhet të nxjerrin rrobat e tyre nga valixhet dhe t’i vendosin në dollapë, të lënë pranë shtratit librat që kanë marrë për të lexuar dhe të sistemojnë pranë pasqyrës së banjës furçat e dhëmbëve, krehërat e flokëve dhe sendet e tualetit. Atëherë shtëpia do të ketë shenjën e tyre dhe ato do ta kenë më të lehtë ta gjejnë veten aty brenda.
Kanë kaluar dy ditë, që kur vizitoret e huaja janë vendosur në shtëpinë përballë detit, që shtrihet atje poshtë. Në mëngjes shihet makina e tyre që lëviz në rrugën midis ndërtesave, zbret në rrugën kryesore dhe i drejtohet plazhit. Ato vishen lehtë, me fustane me ngjyra të gëzueshme, të shkurtër deri tek gjunjët. Gruaja mban në kokë një kapele të gjerë prej kashte, në ngjyrë të bardhë, ndërsa vajza një kapele sportive me strehë, në ngjyrë të kaltër dhe syze të errëta dielli. Plazhi është vetëm disa minuta larg me makinë, sigurisht i mbushur me pushues, megjithatë ato kanë prenotuar një çadër dhe dy shezlongë, të cilat mirëmbajtësi ua rezervon çdo ditë.
Ato zhvishen me rroba banje dhe shtrihen për të marrë rreze. Të dyja kanë lëkurë të bardhë, të pamësuar me rrezet e diellit. Gruaja është pak e mbushur, megjithatë duket ende e re, ndërsa vajza pranë saj ka trupin e përsosur që dikur e ka pasur me siguri edhe e ëma. Ajo ngjall kureshtjen e meshkujve që kalojnë aty afër për t’u futur në det, por duket se është mësuar me këtë dhe nuk i bën shumë përshtypje. Ndërsa gruaja pranë saj përhap kremin mbi trup, rregullon kapelen dhe shtrihet në shezlong, pa lëvizur më asnjë muskul, vajza nxjerr një libër nga çanta e plazhit, shfleton faqet dhe ndalon diku, duke i ngulur sytë ngjyrëkafë aty brenda.
Kur vapa bëhet e padurueshme vajza e lë librin mënjanë, i hedh një vështrim gruas që qëndron e shtrirë mbi shezlong, thuajse e përgjumur, pastaj ngrihet dhe i drejtohet detit. Ajo zhytet në ujin e pastër dhe pas pak del sërish në sipërfaqe. Flokët e saj të çelët janë shtrirë dhe bërë më të errët, ndërsa ajo qëndron me shpinë mbi ujë. Kur është freskuar mjaftueshëm, vajza noton duke bërë një gjysmë rrethi dhe kthehet sërish në çadrën e saj. Gruaja është ende aty, e skuqur nga dielli, që me siguri ka për ta djegur, megjithë kremin që ka vënë. Ajo i ndjen lëvizjet e vajzës dhe i jep të kuptojë se është zgjuar, duke rregulluar syzet që i kanë rrëshqitur mbi hundë. Diçka i thotë, me siguri për diellin e nxehtë, bashkë me ndonjë këshillë, por vajza nuk ia vë veshin. Atëherë gruaja ngrihet, rregullon rrobat e banjës dhe shkon drejt detit që të freskohet edhe ajo. Lëvizjet e saj janë të kujdesshme, duke vërejtur gurët e plazhit mbi të cilët shkel, ndërsa në ujë noton qetësisht, duke u kthyer herë pas here në shpinë, me fytyrën nga bregu.
Drekojnë në restorant, prej nga duket sërish deti. Vajza ha ngadalë, me sytë mbi pjatë ose përtej vitrinës prej xhami, ndërsa gruaja e vështron vjedhurazi, i buzëqesh kur vajza e pikas dhe megjithëse nuk merr prej saj të njëjtën buzëqeshje, i thotë gëzueshëm diçka. Vajza pohon me kokë, ul sërish sytë ose i largon përtej xhamit, duke e lënë gruan të vetme me gëzimin e papritur të saj.
Pasditet dhe netët janë të gjata në bregdet. Gruaja dhe vajza e re përzihen midis turrmës së njerëzve që shëtisin në bulevard, nëpër sheshet me stola apo shatërvanë dhe midis atyre që mblidhen për të dëgjuar një koncert. Ato vishen thjesht, me pantallona treçerekëshe dhe këmisha të lehta, duke mbathur në këmbë sandale të sheshta lëkure. Nuk bien në sy midis asaj mizërie njerëzish që vete dhe vjen. I dallon vetëm gjuha e tyre, të cilën vendasit e kuptojnë, çuditërisht, thuajse të gjithë, si dhe ai kuriozitet që kanë shpesh turistët për gjërat e reja që shohin.
Gruaja ndalon tek shitësit ambulantë për të blerë ndonjë suvenir, ndërsa vajza ndjek me vështrim bashkëmoshataret e saj të bukura, ndonjë djalë që kalon dhe e sheh me vëmendje, për të humbur pastaj midis turrmës, apo mban vesh me kërshëri bisedën e disa bashkëkombasve të saj, që kanë ardhur aty për pushime, ashtu si ajo, dhe po qeshin të shpenguar. Atypëraty vajza ndjen se i mungon shoqëria e saj, daljet e përbashkëta në mbrëmje dhe bisedat moskokëçarëse, ku asgjëje nuk i jepet rëndësi. Ajo kthehet dhe ndjek me vështrim gruan, që po merret vesh me shitësin, duke mbajtur në duar një punim të vogël qeramike, me emrin e qytetit, Vlora, të shkruar me bojë të kuqe në fund të saj. Gruaja i afrohet e kënaqur, me trofeun midis duarve, ndërsa vajza ia ngul sytë me vëmendje për një çast, duke vërejtur papritur sesa shumë ngjajnë ato të dyja në momentin kur arrijnë atë që duan. Ato shëtisin derisa lodhen, blejnë nga një akullore me kaush dhe ulen për ta ngrënë në një stol apo bordurë, midis vendasve që nuk e vënë re praninë e tyre.
Kur kthehen në shtëpi ka rënë nata. Vargu i makinave ndriçon rrugën përgjatë bregdetit. Gruaja dhe vajza duhet të mbajnë sërish rradhën, derisa trafiku i ngadaltë t’i nxjerrë më në fund në sheshin e vogël, ku fillon të ngjitet e përpjeta drejt shtëpisë së tyre. Dritat e ndërtesave rrotull janë të ndezura, disa të tjera dallohen përgjatë faqes së malit, si kampinge alpinistësh, ndërsa në krahun tjetër, atje poshtë, deti është tërhequr në errësirë, duke e lënë horizontin të zbrazët. Makina ndalon dhe të dyja zbresin, gruaja nxjerr çelësat dhe hap portën e shtëpisë. Hyjnë në oborr pa folur, duke thithur ajrin e pastër që në qytet u ka munguar.
Pak më vonë në oborr ka mbetur vetëm vajza, që vështron yjet herë pas here, ndërsa gruaja ka hyrë brenda, me siguri duke u marrë me diçka. Tashmë ndihet si në shtëpi të vet dhe vajza nuk do që t’i ngatërrohet nëpër këmbë. Dëgjohen zërat e fqinjëve që banojnë ngjitur, pas murit rrethues me blloqe. Diçka bisedojnë në gjuhën e tyre të pakuptueshme, ndoshta tregojnë ndonjë histori, sepse në fund të fjalive qeshin gjithmonë. Janë një burrë dhe një grua, të cilët ajo nuk i sheh, por nga zëri kupton se janë në moshë me të ëmën e saj. Vajza ndihet e vetmuar dhe hyn brenda në shtëpi.
Gruaja nuk duket në sallon, as në kuzhinë. Vajza hedh rrotull sytë kuriozë, pastaj drejtohet nga dhoma tjetër. Dera është gjysmë e hapur, gruaja qëndron pranë dritares, pas së cilës shihet nata, me një buzëqeshje në buzë, duke pëshpëritur fjalë që mezi dëgjohen. Po flet në telefon, njërin krah e ka mbështetur mbi gjoks, duke e futur pëllëmbën nën sqetull, dhe lëviz ngadalë, me sytë mbi dysheme. Është pamja e dikujt që kërkon të fshehë lumturinë e vet. Vajza e vështron disa sekonda, pastaj largohet. Hyn në dhomë, merr disa ndërresa dhe shkon të bëjë një dush. Në pasqyrë ndesh shëmbëlltyrën e saj, një vajzë njëzetëvjeçare e bukur, që e vështron me seriozitet. Zgjat dorën drejt rubinetit, por uji nuk del. Ajo provon përsëri, por më kot. Shfryn e inatosur dhe pa ia hedhur sytë shëmbëlltyrës që largohet mbi pasqyrë shkon në dhomën e saj që të flejë.
Shpërndaje në: