VETMIA SJELL GJITHMONË TELASHE
200 Lekë
Shto librin tek lista e librave të preferuar.
| Kategoria | Novelë |
|---|---|
| Formati | |
| Data e botimit | 11 Nëntor 2025 |
| Gjuha | Shqip |
| Numri i faqeve | 97 |
Pajisjet ku mund të lexohet libri
Përmbledhja
Secili ka mënyrën e vet për t’i ikur vetmisë, edhe pse në fund të fundit kjo rezulton gjithmonë e pamundur. Edhe atëherë kur duket se e kemi gjetur një rrugëzgjidhje për ta shmangur shurdhërinë dhe peshën e padurueshme të vetmisë, ajo rikthehet në një formë tjetër, e tall përpjekjen tonë dhe na ndëshkon për mendjelehtësinë. Ky është filli dhe kontradikta që përshkon këtë novelë, ku personazhi kryesor, ndërsa kërkon t’i ikë vetmisë së tij ekzistenciale, e gjen veten gjithmonë të futur në telashe.
Incipit (fillimi i novelës)
Vetmia i kishte hapur gjithmonë telashe. Këtë të vërtetë të cilën nuk kishte mundur ta shmangte dot asnjëherë, e ndjeu sapo pikasi sytë e së shoqes të ngulur në fytyrën e tij, pastaj shpinën e saj që largohej me nxitim, energjike si një tigër që tërhiqte me vete prenë e vet, e ngarkuar me peshën e nervozizmit dhe të mërisë.
Pasi u mendua pak dhe nuk gjeti tek vetja asnjë brerje ndërgjegjeje, Henri u afrua përsëri pranë dritares. Jashtë vazhdonte të binte shi. Dëgjohej vetëm zhurma e tij që trokiste nëpër tarracat dhe çatitë e shtëpive, ndërsa në rrugë nuk kishte asnjë lëvizje. Retë dukej se kishin hedhur spirancat mbi qytetin e përgjumur dhe po derdhnin poshtë të gjithë ujin e ngarkuar gjatë udhëtimit të tyre mbi det.
Darka e së dielës kaloi në heshtje. E shoqja hante ngadalë, me sytë ulur mbi pjatë, duke kapërdirë me vështirësi atë që bluante me vete.
Dëgjohej vetëm moti i keq përjashta, si një kafshë e egër që skërmiste dhëmbët. Henri e kuptoi se e shoqja kishte diçka me të. Ai u mundua ta largonte mendimin e pasdrekës, se ishte vetmia që e kishte futur në telashe, ndaj ia la fajin ndonjë shkaku fare të vogël ose një teke të pakënaqur.
Me këtë lloj qetësie në vetvete, që i ngjante shëtitjes buzë detit të dikujt që kërkonte të linte pas një hall, Henri ndoqi pa shumë vëmendje lajmet e mbrëmjes, parashikimin e motit dhe reklamat. Kur edhe djali ra të flinte i përgjumur, i marë për dore nga e ëma që e shpuri në shtrat, Henri u përqëndrua i tëri mbi një film të vjetër, të cilin kishte vite pa e parë.
Vetëm kur e fiku televizorin u kujtua se e kishte harruar fare të shoqen dhe qëndrimin e saj. Të gjitha iu rishfaqën menjëherë, kur hapi derën e dhomës së gjumit dhe pa atë ende energjike, megjithëse ora po i afrohej mesnatës, duke nxjerrë e palosur rroba dhe ndërresa, e pastaj duke i sistemuar sërish në dollap. Henri u mat të thoshte diçka, por vështrimi i gruas, i thellë dhe i errët si deti në dimër, e bëri lehtësisht të zbrapsej.
Ai tërhoqi batanijen dhe u fut në shtrat, ndërsa njërin krah e mbështeti mbi ballë, për të penguar dritën e llambës që të therrte sytë. Në dhomë dëgjohej shushurima e shiut, që të merrte dhe të shpinte larg në gjithfarë përfytyrimesh të ëmbla, duke kapërcyer lehtësisht natën e qytetit. Henri, duke marrë frymë thellë, u mbush me imazhin e një bregdeti të zbrazët, me çadrat të mbyllura, nëpër të cilin era vallëzonte me flokët e gjatë të një siluete. Ai e vështronte gjithçka i ulur në një nga shezlongët e mbetur mbi rërë, i lumtur që ndodhej aty, ndërsa deti oshëtinte nga dallgët.
- Ti ke një jetë sekrete! – tha e shoqja pas disa minutash, e sigurtë se ai nuk po flinte.
Shushurima e shiut bashkë me përfytyrimet e ëmbla dukej e largët dhe e huaj, ndërsa Henri po përgjonte qetësinë e dhomës. E shoqja e kuptoi që ai e dëgjoi, ia nguli vështrimin për disa çaste në shpinë, pastaj fiku dritën dhe u shtri në krevat, duke e lënë atë të vetëm me mendimet e tij.
Ditët në vazhdim ata nuk i zunë fare në gojë fjalët e asaj nate, njëlloj sikur ajo të mos i kishte shqiptuar kurrë dhe ai të mos i kishte dëgjuar. Uleshin për të ngrënë bashkë me djalin, shkonin diku për një vizitë dhe shihnin mbrëmjeve televizorin. Veçse të dy mendonin vazhdimisht për ato fjalë, për jetën e tij sekrete, çdo herë që heshtja binte mbi tavolinë, kur vështrimi i tjetrit humbiste papritur diku, apo kur një psherëtimë zbraste pa u ndjerë kraharorin.
Henri e dinte fare mirë se çfarë donte të thoshte e shoqja me ato fjalë, por s’mund të shpjegohej dot. I ulur në tavolinën e një kafeneje, në zyrën e tij të punës apo duke shëtitur në bulevard, kujtonte të gjitha herët kur vetmia e kishte futur në telashe. Në ato çaste Henri dukej krejt i largët, me sytë të ngulur diku përpara, si të vështronte në një pasqyrë refleksin e vet.
Shpërndaje në: