Xhungel Mjegulle
200 Lekë 300 Lekë
Shto librin tek lista e librave të preferuar.
| Kategoria | Roman |
|---|---|
| Formati | |
| Shtëpia botuese | Uegen |
| Data e botimit | 5 Gusht 2022 |
| Gjuha | Shqip |
| Numri i faqeve | 300 |
| ISBN | 9789928035691 |
Pajisjet ku mund të lexohet libri
Përmbledhja
Dy fjalë
SOKOL PEPKOLAJ, pas botimit të romaneve: “Sekreti i dashurisë”, “
E fshehta përvëluese” dhe “Amë vajze”, paraqitet para
lexuesit me romanin e tij të katërt dhe ka në proces punimi edhe
romane të tjera.
Ky autor shquhet për rrokjen e temës aktuale, duke shpalosur
artistikisht realitete të gjalla të botës shqiptare, ku përthyhen dhe
marrin formë të gjitha kategoritë sociale, të gjitha moshat dhe
autori ka ditur të japë pikërisht këtë pështjellim të shoqërisë së
sotme, që dominohet nga ethet e pasurimit dhe, për pasojë,
karakteri i njeriut merr ulje-ngritjet e tij.
Në romanin më të ri, autori tregon sesi tre njerëz, pasi vjedhin
një dyqan bizhush, bëjnë ç’është e mundur të fshehin krimin, por
nuk ngurrojnë të rrisin dhe zgjerojnë pasurinë e tyre. Në fund, një
pjesë e pasurisë së vjedhur zbulohet, por autorët e vërtetë jo. Një
mesazh domethënës që tregon se në shoqërinë e sotme, autorët e
vërtetë të krimit dhe të vjedhjeve, dinë të fshehin provat dhe
viktima mbeten gjithmonë hajdutët joprofesionistë, edhe për
shkak të paaftësisë së tyre, të fatit apo të eliminimit të bandave
me njëra-tjetrën.
E gjithë kjo ide ka sjellë edhe organizimin e një strukture të
ngjeshur dhe domethënëse, e cila vjen gjithnjë e mbërthyer mirë
në arkitekturën e saj dhe nuk lejon që të shfaqen pjesë të tepërta
apo të mërzitshme.
Mund të themi se kemi një roman të strukturuar, ku, çdo personazh
që ka jetën e tij dhe shtjellohet brenda saj, nuk i ikën idesë
themelore të romanit, që mbetet një ide e hapur, me rezonancë
të gjerë, duke paralajmëruar se edhe për një kohë të gjatë, shoqëria
jonë do të vuajë nga kjo sindromë problematike.
Autori i vizaton personazhet me botën e tyre shpirtërore dhe në
qendër vihen tre prej tyre: Bani, Peti dhe Pjetri. Nga krahu tjetër
vihet Edi, humbësi i bizhuve, i cili është në ankth të madh dhe
bën çmos të gjejë shenjat e pasurisë së tij të grabitur duke marrë
për këtë edhe hetues privatë.
I ndërtuar në dy linja, që vijnë paralel në zhvillimin e tyre, ai vë
si linjë ndërlidhëse Evën, mbesën e Edit, që është në të njëjtën
shkollë me Bertin, të birin e Banit, e cila bëhet si urë lidhëse
midis dy linjave, krejt padashur. Por pas këtyre linjave kryesore
që mbajnë gjallë tensionin dramatik në roman, vijnë nënlinjat e
tjera që plotësojnë dhe mbushin frymën e romanit; kështu linja e
Pjetrit takohet me të Petit dhe shkëputet prej saj dhe të dy
personazhet bëjnë jetë të shkëputur nga njëri-tjetri, ata nuk e duan
më shoku-shokun, po as mundet ta sulmojnë, sepse të dy i mban
solidariteti i heshtur i krimit, si vetëndëshkim i mundshëm.
E në gjithë këtë vijëzim linjash që rrjedhin herë vrullshëm e
herë ngadalë, vjen pastaj linja e Bertit me Evin, po edhe e Evës
me Sebin etj.
Në këtë spikatje skaliten portrete të ndryshme, karaktere në
formim e sipër dhe plot sharm.
Autori ka ditur ta japë personazhin në zhvillim, po kurrë ta
shkëpusë nga natyra e tij. Kështu, tre protagonistët e vjedhjes
mbeten të pandryshuar nga fillimi deri në fund, për sa i përket
kujdesit që ata kanë, ndërsa Edi mbetet i luhatshëm, mosbesues
dhe eklektik, për shkak të dëmit që ka pësuar.
Berti mbetet gjithashtu djali dinjitoz dhe i zgjuar, ashtu si dhe
Eva e cila shkëputet me gjakftohtësi nga i fejuari dhe afrohet me
Bertin në mënyrë të natyrshme.
Zotësia për të ndërtuar personazhe në të veçantën e tyre, është
meritë e autorit dhe kjo sjell një reliev tjetër leximor dhe pasqyrues,
duke e bërë prozën e tij mjaft dinamike dhe të gjallë, një
prozë e filozofisë jetësore që shpreh kumtin e saj.
Personazhi nuk mund të merret i shkëputur nga koha dhe
ambienti, përgjithësisht ai intubohet me oksigjenin e së shkuarës,
sepse e sotmja është e sëmurë. Por edhe ky oksigjen nuk
mund të përthithet aq lehtë, veçse nga ca çaste nostalgjish që vijnë
në kuadrin e një kujtese të atypëratyshme.
Ambientet janë të njohura, ambiente të periferisë së Tiranës,
por edhe ambiente ku lëvizin njerëzit e kamur në kryeqytet. Po si
mund të shkosh deri atje? Atje shkon vetëm Bani, nëpërmjet të
birit, student i shkëlqyer, po edhe përmes miqve që siguron nga
shitja e florinjve të vjedhur.
Në këto ambiente, ku shkëlqen luksi dhe festohen raste të
ndryshme dhe ditëlindje, asgjë nuk i përket jetës së vërtetë, bio,
por vetëm lajkës, hipokrizisë dhe interesit material. Të gjitha
këto, të përshkruara nga autori me detaje mbresëlënëse dhe të
hidhura, çka tregon dhe shpreh idenë sesi në ambiente të tilla,
gati-gati, nuk mund të gjesh asgjë njerëzore dhe të besueshme, se
ndoshta ashtu mund të jetë vërtet.
Kjo mjeshtëri përshkrimi nuk mund të ndihet as mund të
perceptohet nëse nuk kupton realitete të gjëra përtej tekstore, por
që lexuesi i gjen të përshkruara artistikisht në roman.
Me mjaft ngjyra jepen ambientet e periferisë: lokalet, rrugët,
dyqanet, takimet, të ngjyrosura nga dialogë karakteristikë, jeta e
hapur, por edhe e mbyllur e grave etj. Autori shpreh këto copëza
të një realiteti që të kujton përditshmërinë, por ai përshkruan edhe
ambiente të Greqisë, me linjën e Pjerit, të Pashkes etj.
Përshkrimi i ambientit nuk e kalon masën, për të mos humbur
interesi se çfarë bëhet me problemin kryesor dhe kjo është një
zotësi tjetër e këtij autori, ai nuk hyn në përshkrime të panevojshme.
Romani i Sokol Pepkolajt është një prozë situatash, të cilat janë
gjithmonë interesante, por kurrë të shkëputura nga njëra-tjetra
dhe tepër të natyrshme; ato janë situata të besueshme që shprehin
përditshmërinë e njeriut të sotëm, i cili shpesh duket sikur lëviz
në një skenë absurdi, por gjithmonë aq befasuese artistikisht,
kujtojmë këtu takimin me plakun në Prizren, pastruesen Nife në
një hotel të Prishtinës apo vajtjen e Pashkes në Greqi etj., të cilat
vijnë dhe shpalosen radhë pas radhe si në një xhirim filmik.
Këto situata asnjëherë nuk shkëputen nga njëra-tjetra dhe as nga
problemi kyç i romanit, i cili e mban gjithnjë të ndezur të panjohurën
dhe deri në fund nuk e afron zgjidhjen, gjë e cila rrit kuroizitetin për
ta lexuar me etje romanin.
Po kështu, këto situata të shpejta nuk e dëmtojmë vështrimin
psikologjik të autorit, për t’i dhënë personazhet në këndvështrime të
ndryshme e për të nxjerrë nga fundi i shpirtit të tyre
edhe të keqen, edhe të mirën, pra kemi personazhe në zhvillim e
që gjithnjë ndryshojnë, jo për hir të një konvencioni, por për hir
të zhvillimit të jetës dhe fatit apo zgjedhjes së tij, që ata po vetë
e kanë bërë.
Të gjitha këto, të paraqitura me një fjali të rrjedhshme, pa
teprime, kur shprehet pikërisht ajo që duhet thënë dhe autori e ka
ruajtur më së miri temporitmin rrëfimor dhe këtë roman mund ta
lexosh pa u bezdisur, madje në pjesë të veçanta të tij, edhe mund
t’i rikthehesh, sepse autori e zotëron mirë mënyrën e rrëfimit dhe
ruan sensin e masës.
Përshkrimet dhe dialogët vijnë në harmoni dhe në sintoni të
forcës shprehëse, duke materializuar me nivel artistik, problematika
dhe ide të gjalla të realitetit të sotëm urban shqiptar. Përshkrimet e
tij përcjellin dramacitetin e jetës, ato kanë forcë poetike, zbulojnë me
fjalë të kursyera realitete të përditshmërisë dhe
krijojnë gjendje të forta psikologjike dhe e vendosin personazhin
në kondicione realiste, duke zbuluar karakterin e tij të ndërthurur
dhe që futet në kthesa të papriturash.
Romani i Sokol Pepkolajt ka synim dhe e realizon atë, të pasqyrojë një botë të tërë njerëzore, njeriun, në kushtet e tranzicionit, ku mjaft karaktere thyhen e mjaft të tjera i qëndrojnë besnikë ndershmërisë së natyrës njerëzore. Të gjitha karakteret vizatohen me mjeshtëri, në kontekstin e mesazheve bashkëkohore.
Shpërndaje në: